Nuk deklaroi 25 mijë euro në Kakavijë, nën hetim 60-vjeçari nga Gjirokastra! Policia sekuestron paratë, dy ditë më parë…

11/04/2024 14:16

Një 60-vjeçar nga Zagoria e Gjirokastrës është nën hetim në gjendje të lirë, pasi u kap me para të padeklaruara në Kakavijë. 

Sipas policisë, J. K., teksa ishte duke dalë jashtë vendit, u kalua për kontrroll në vijë të dytë. Atij iu gjetën në çantë 25 000 euro të padeklaruara.

Shuma e parave, e padeklaruar nga ky shtetas konform ligjit në fuqi, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, është konstatuar dhe goditur një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia kufitare e Kakavijës, dy ditë më parë ka goditur një tjetër rast, ku u sekuestruan 8390 euro, 12300 franga zvicerane, 85000 fiorinta hungareze, 470 dinarë serb dhe 15 lingota floriri, të gjitha të padeklaruara në dalje të RSh-së.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. K., 60 vjeç, banues në fshatin Zagori. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel