Foto në Dubai/ Kush është vëllai i deputetit që ra në pranga sot, ktheu stanin në fermë kanabisi me llamba

11/04/2024 13:52

Vëllai i deputetit Eduard Ndreca, Armando Ndreca ka rënë në pranga në Lezhë për kultivimin narkotikësh.

Sipas korrespodentes së Top Channel, Brixhilda Deda në pranga ranë edhe Armel Nikdukaj dhe Elvis Shpellzai.

Sipas policisë, ata kishin përshtatur një stan, në pyjet e fshatit Kashnjet, për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa, nëpërmjet llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast u ndalua dhe një 32-vjeçar i dyshuar i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Nga ky ambient u sekuestruan 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë.

Më tej, në banesat e 2 të arrestuarve në flagrancë, Policia gjeti 3 armë të ftohta dhe 1 maskë.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel