Inside Story/ Miniera e Mëzezit, studimi: U ndërtua mbi trupin e minierës, rrezikohet shembja e ndërtesave

10/04/2024 22:28

Miniera e qymyrit në Mëzes vijoi punën deri në vitin 1993.

Në dy vitet e fundit nuk ka dokumente të punës që është bërë, harta topografike apo elemente të tjera që tregojnë për proceset e punës, deri ku është ndërhyrë dhe cilat janë të dhënat.

“Në rastin konkret, kur kemi vendosjen e objekteve inxhinierike të banesave apo infrastruktura të ndryshme, kjo bëhet një problem për qëndrueshmërinë e strukturave, por dhe jetës së qytetarëve që ndodhen në sipërfaqen e tyre. Përsa i përket pjesës mjedisore ne mund të themi që nëse një minierë nuk është e izoluar, e mbyllur dhe e kapsuluar hermetikisht atëherë ajo do të jetë gjithmonë active”, shprehet profesori Klodian Skrame.

Një raport studimi i realizuar në vitin 2007 në këtë zonë nxjerr në pah problematika të shumta dhe shqetësuese për banorët, ndërtesat e zonën në tërësi.

“Vlerësimi i lëvizjeve te truallit nga ndikimet minerare në rajonin e Mëzezit dhe segmentin e Autostradës Tiranë – Durrës pranë kësaj miniere”, tregon se shtresat e qymyrit me dalje në sipërfaqe kanë një pjerrtësi të madhe.

“Punimet minerare në minierën e Mëzezit janë kryer në një vendburim qymyri me kushte gjeologo – minerare specifike. Shtresat e qymyrit, me dalje në sipërfaqe, kanë pjerrësi të madhe rreth 80 gradë dhe janë të mbuluara nga disa shtresa të holla ronorësh pa vazhdimësi të qartë dhe të paqëndrueshëm. Këto ndikojnë kryesisht në dëmtimin e rrjetit të ujërave nëntokësore, ndryshimet fizike të terenit, si rezultat i uljeve të terenit mbi zonat e shfrytëzuara, si dhe ndotjen e mjedisit nga hedhja e mbetjeve sterile të nxjerra nga nëntoka. Ndonëse janë evidentuar si problematika masat e marra janë minimale”, thuhet në studim.

Banorët kanë mbushur një pjesë të dukshme të galerive me materiale të dala nga miniera. Dëmtimet e ujërave nëntokësorë e sipërfaqësor, ndotja e mjedisit si dhe thyerje e çarje të terrenit janë konstatuar dhe rilevuar, por pa marrë ndonjë masë mbrojtëse.

“Ajo që është vënë re që në momentet e para është krijimi i atyre që quhen gavitete apo gropa mbi trupin e kësaj miniere. Mund të themi që kemi dy lloj problematikash, problematika inxhenierike dhe mjedisore”, tha Skrame.

Veçoritë gjeologo minerare të takuara në këtë minierë mund të sjellin një impakt negativ edhe në ditët e sotme. Për shkak të shembjeve të galerive mund të ketë spostime të strukturave të ndërtesave, pavarësisht se në disa zona masivi i nënshfrytëzuar nga nxjerrja e qymyrit është ngjeshur.

Top Channel