“Vritini të gjithë”, çerekfinalet europiane kërcënohen nga ISIS, masa të jashtëzakonshme në Londër, Paris dhe Madrid

09/04/2024 11:23

Këtë mesjavë rikthehen kompeticionet europiane si Champions League, Europa League dhe Conference League, teksa i afrohen gjithnjë e më shumë kulmit pasi aktualisht luhet faza çerekfinale.

Por, këto kompeticione që dhurojnë emocione spektakolare kanë përfunduar në kërcënimin e ISIS.

Shteti islamik nëpërmjet kanalit të saj informativ, Al Azaim ka kërcënuar qytete si Madridi, Londra dhe Parisi. Sipas asaj që raporton Marca, autoritetet e këtyre vendeve prej kohësh kanë qenë në dijeni për sulme të mundshme dhe në ndeshjet e kësaj mesjave, do të merren masa të jashtëzakonshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë e qindra mijëra tifozëve të pranishëm në impiantet më prestigjioze të Europës.

Ministri i Brendshëm spanjoll kërkoi vigjilencë të shtuar në aktivitetet sportive, ndërkohë që në Itali, ditën e hënë u arrestua në Fiumicino një shtetas 32-vjeçar nga Takixhistani, pjesëtar i ISIS që kishte luftuar gjithashtu edhe në Siri.

Ky i fundit po i drejtohej Romës, ndërsa ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Kujtojmë se pak ditë më parë (22 mars) ISIS goditi Moskën duke ndezur edhe njëherë alarmin në Europë./ Supersport

Top Channel