Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, përsërit vazhdimisht se është në pozitë të mirë për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë, duke thënë se ka marrëdhënie të mira si me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, ashtu edhe me atë ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Trump, gjatë karrierës së tij politike, ka lavdëruar në mënyrë të përsëritur Putinin… madje edhe pas pushtimit të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Vetëm pak ditë pasi tanket ruse kanë hyrë në territorin e shtetit fqinj, Trump e ka përshkruar liderin rus si lojtar “të zgjuar” politik dhe ka shprehur admirim për, siç ka thënë ai, faktin që Rusia ka marrë shpejt “një copë të madhe toke” me koston e, sipas tij, sanksioneve relativisht të lehta.
Trump ka qenë vazhdimisht kritik edhe ndaj përfshirjes së SHBA-së në luftën në Ukrainë, duke thënë se në vend se t’i jepte ndihmë, do të duhej t’i jepte kredi.
Këtë gjë e ka përsëritur edhe pak javë më parë në Ohajo, derisa ka bërë fushatë për kandidaturën e tij për president në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor.
“Duhet t’i japim para hua, e jo t’i dërgojmë para. Pra, t’i huazojmë para dhe nëse ia del, të na i kthejë”, ka thënë Trump.
Prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më shumë se dy vjet më parë, SHBA-ja ka qenë donatorja më e madhe e ndihmave ushtarake për shtetin e pushtuar.
Por, një paketë e re ndihme, në vlerë prej 60 miliardë dollarësh, prej muajsh mbetet e bllokuar në Kongresin amerikan, për shkak të kundërshtimeve të republikanëve pro Trumpit.
Trump, i cili ka qenë president nga viti 2017 deri më 2021, do të garojë sërish për të parin e Shtëpisë së Bardhë – sipas të gjitha gjasave, kundër presidentit aktual, Joe Biden.
Në disa paraqitje, Trump ka thënë se, nëse do të zgjidhej president, do t’i jepte fund luftës në Ukrainë për 24 orë, por pa treguar se si. Ka thënë se SHBA-ja nuk ka municione për vete dhe ka akuzuar Evropën se nuk kontribuon sa duhet.
Ai nuk ka pranuar të thotë nëse do të donte që Ukraina ta fitonte luftën.
“Dua të ndalojnë vrasjet. Rusët dhe ukrainasit po vriten. Dua që kjo të ndalojë”, ka thënë Trump për rrjetin televiziv CNN.
Muajin e kaluar, pasi ka takuar Trumpin në SHBA, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se nëse zgjidhet president, Trump nuk do ta financojë luftën e Ukrainës kundër Rusisë. “Kjo është arsyeja përse lufta do të përfundojë”, ka thënë Orban.
Duke i komentuar këto deklarata për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Ben Hodges, ish-komandant i ushtrisë amerikane në Evropë, thotë:
“Nëse dëgjojmë atë që ka thënë Trump javëve të fundit, rikthimi i tij do të sillte një situatë të tmerrshme. Ai e ka ndaluar kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, që ta çojë përpara paketën e ndihmës për Ukrainën. Pra, nuk ka indikatorë të mirë nëse ai rikthehet”.
“Tash për tash, për fat të mirë, shumica e Kongresit vazhdon ta mbështesë ndihmën për Ukrainën dhe do të mund të gjenden mënyra për ta çuar përpara, por po bëhet më e vështirë”, thotë Hodges.
Grant Reeher, drejtor i Shkollës Maxwell për Marrëdhënie Publike në Universitetin Syracuse në Nju Jork, thotë se kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të sillte një ndryshim rrënjësor të multilateralizmit të Bidenit.
Ai do të vinte theksin në marrëdhëniet dypalëshe dhe jo shumëpalëshe; do të reduktonte po ashtu përfshirjen amerikane në çështjet ndërkombëtare, thotë Reeher për Exposenë.
“Është po ashtu e rëndësishme të theksohet se kjo nuk ka të bëjë vetëm me Donald Trumpin dhe me atë që ai mund të bëjë si president. Ndjesia në SHBA për ndihmën që duhet t’i jepet Ukrainës, po ndryshon. Dhe mënyra se si amerikanët mendojnë për pjesën tjetër të botës, lidhet pikërisht me të menduarit për Amerikën së pari”, thotë ai.
Një sondazh i qendrës së kërkimeve Pew në SHBA ka gjetur qysh në mes të vitit të kaluar se mbështetja e publikut amerikan për Ukrainën, është në rënie.
Sondazhi ka nxjerrë në pah një numër më të lartë të amerikanëve që besojnë se SHBA-ja duhet të fokusohet më shumë në problemet në vend.
Gjenerali i pensionuar amerikan, Ben Hodges, nuk beson se tërheqja e mundshme e ndihmës amerikane do t’i jepte fund luftës në Ukrainë. Sipas tij, një skenar i tillë nuk do të nënkuptonte automatikisht as disfatën e Ukrainës.
“Ukrainasit nuk do të tërhiqen. Ata e dinë se çfarë ndodh nëse tërhiqen. Evropa, po ashtu, është duke u zgjuar ngadalë dhe duke e kuptuar se çfarë kërcënimi paraqet Rusia. Shumica e vendeve të Evropës Lindore, të cilat kanë jetuar nën ndikimin rus – qofshin ato vendet sovjetike, vendet e Paktit të Varshavës apo fqinjët e tyre – e kuptojnë kërcënimin. Tani edhe shumica e vendeve perëndimore e kuptojnë këtë”, thotë Hodges.
Bashkimi Evropian dhe vendet e tij veç e veç kanë dërguar po ashtu në Ukrainë ndihma të vazhdueshme ushtarake, në vlerë prej miliarda eurosh. Më herët këtë vit, BE-ja është dakorduar që të ndajë edhe 50 miliardë euro si mbështetje të re financiare për Qeverinë e Ukrainës.
Gjenerali Hodges thotë se evropianët, deri diku, mund të ndërhyjnë dhe ta mbushin boshllëkun që lë tërheqja eventuale e SHBA-së nga ndihmat, por thekson se është tejet e rëndësishme të ruhen lidhjet transatlantike.
“Qasja që vendet evropiane i japin SHBA-së me bazat e tyre ajrore, portet detare dhe lehtësirat tjera, është e rëndësishme për interesat tona strategjike në Afrikë, në Lindjen e Mesme dhe jo vetëm në Evropë. Por, në anën tjetër, askush në Evropë nuk mund të ofrojë mbrojtje bërthamore në nivelin që mundet SHBA-ja”, thotë Hodges.
Si ekspert i mbrojtjes, Hodges thotë se gjatë dy vjetëve luftë kundër pushtimit rus, Ukraina ka shpenzuar sasi të mëdha municionesh dhe armësh. Në këtë pikë, thotë ai, asaj i mungojnë municione artilerie dhe armë precize me rreze të gjatë veprimi, të cilat mund të bëjnë vërtet ndryshime.
Për t’ia mbajtur sadopak anën, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ka ndarë një paketë emergjente për Ukrainën, që përfshin artileri dhe raketa Himars, në vlerë prej 300 milionë dollarësh.
Këshilltari për siguri kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se fondet janë siguruar nga disa kursime të paparashikuara të Pentagonit.
“Është një ndihmë për të cilën Ukraina ka dëshpërimisht nevojë që t’iu kundërvihet sulmeve ruse dhe t’i zmbrapsë ato në lindje dhe në pjesë të tjera të vendit”, ka thënë Sullivan.
Në një intervistë dhënë Televizionit Fox News javën e kaluar, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, ka thënë se ai do që ndihma e re për Ukrainën të miratohet “tani” dhe ka thënë se do të propozojë një paketë shpejt, pasi që Kongresi të kthehet nga pushimet, më 9 prill.
Johnson, aleat i Trumpit, ka thënë se propozimi i tij do të përfshijë “risi të rëndësishme”, por nuk i ka përshkruar ato.
Paketa që mbetet e bllokuar, parasheh fonde kryesisht për armë dhe pajisje të tjera ushtarake. Johnson ka thënë vetëm se ligjvënësit do të konsiderojnë tri elemente: dhënien e ndihmës në formë kredie, shfrytëzimin e aseteve të ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën, dhe rritjen e eksporteve të gazit natyror të SHBA-së, për të zvogëluar të ardhurat buxhetore të Rusisë.
Duke folur për Politico-n javën e kaluar, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë se çfarëdo që të ndodhë, Ukraina duhet të gjejë një mënyrë për t’u angazhuar me fituesin e zgjedhjeve në SHBA.
“Kur bëni një luftë ekzistenciale, gjëja e fundit për të cilën duhet të shqetësoheni, është rezultati i një zgjedhjeje ku nuk mund të keni ndonjë ndikim, sepse janë njerëzit e tjerë që e bëjnë zgjedhjen. Ju do të duhet të punoni me atë zgjedhje, cilado qoftë ajo”, ka thënë Kuleba.
Duke komentuar mundësinë e negociatave mes dy vendeve në luftë – që në disa raste e ka përmendur edhe Trump – gjenerali Hodges thotë se kushdo që beson se Rusia mund të negociojë me mirëbesim, e ka gabim.
Por, ndryshe mendon Reeher nga Universiteti Syracuse. Ai thotë se SHBA-ja apo vendet tjera mund të ndihmojnë për t’i ulur palët në tryezë.
“Nëse ngërçi që po shohim do të vazhdojë me muaj, më duhet të mendoj se presioni për të zhvilluar negociata do të rritet. Palët nuk mund të mbeten në këtë luftë për një dekadë. Unë thjesht nuk shoh se si ato do të mund ta përballojnë këtë”, thotë Reeher.
Trump, disa herë, ka thënë se do të donte që SHBA-ja të tërhiqej krejtësisht edhe nga NATO-ja – aleanca më e madhe ushtarake në botë – si dhe nga marrëveshje të tjera me Perëndimin.
Ish-këshilltari i Trumpit, John Bolton, tani njëri nga kritikët më të mëdhenj të tij, ka shkruar në librin e tij “Dhoma ku ndodhi: Një kujtim nga Shtëpia e Bardhë” se “nëse katër vjetët e parë të Trumpit ishin të këqij, katër vjetët e dytë do të ishin edhe më të këqij”./ REL.
Top Channel