Atleti britanik Russ Cook mbërriti sot në linjën e ‘finishit’ të vrapimit të tij në Kepin Angela, Tunizi, pasi përshkoi 16,000 kilometra, nga pika më jugore e kontinentit afrikan deri në atë më veriore, duke u bërë i pari që e bën këtë.
Ai raportohet se ishte nisur nga Afrika jugore me 22 prill 2023 për projektin e tij “Project Africa”, dhe arriti të mbledhë 668,730 euro donacione, të cilat thotë se do t’i japë për bamirësinë Running Charity, që ndihmon të rinjtë e pastrehë.
Britaniku mbërriti në destinacinin e tij dje pasdite, në vendin ku një skulpturë e shënon si pika më veriore e Afrikës.
Cook beson se është personi i parë që arrin të realizojë vrapim, për të cilin ai kreu më shumë se 19 milione hapa në 16 vende të ndryshme, duke vrapuar ekuivalenten e 385 maratonave në 351 ditë, shkruan rrjeti AFP.
Në rrugëtimin e tij burri kaloi male, pyje tropikale, situata të rrezikshme dhe probleme me autoritetet kufitare.
Në etapat e fundit të vrapimit të tij, me atletin e vrapimeve të gjata nga Worthing në jug të Anglisë u bashkuan mbështetës të ndryshëm.
Mbyllja e sfidës së tij u celebrua me një festë në Bizerte, që është qyteti më verior i Afrikës.
Mes aventurave të kaluara në rrugëtimin e tij, grupi thotë se në Angola ata ishin ndaluar nga njerëz të armatosur ne Anglola, ndërsa pengesat për vizën në Algjeria thuajse i prishën të gjithë projektin.
Në pjesën e shkretëtirës së Saharasë ai thotë se vrapoi natën për t’i shpëtuar të nxehtit.
“Kam takuar njerëz të pabesueshëm në të gjitha vendet ku kam qenë, që na kanë mirëpritur me mirësi e dashuri, fryma njerëzore është diçka e mrekullueshme”, tha mes te tjerash atleti./AFP/
Top Channel