‘Nuk është një luftë normale’/ Doktorët thonë se fëmijët po goditen nga snajperët izraelitë në Gaza (fotot)

02/04/2024 17:53
Dr Fozia Alvi ne spitalin prane Rafah

Ushtria izraelite refuzon akuzat se ka qëlluar qëllimisht ndaj mijëra civilëve gjatë ofensivës së saj në Gaza.

 

Doktoresha kanadeze vullnetare Fozia Alvi teksa ecën në ditën e fundit mes pavionit të spitalit të bombarduar në jug të Gazës, ndalon të dy të sapoardhur me plagë në fytyrë dhe tuba oksigjeni në gojë, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

“Infermierja më tha se janë sjellë dy orë më parë, kishin plagë snajperi në kokë. Këta janë shtatë apo tetë vjeç”, thotë ajo.

Këta nuk janë fëmijët e parë që trajtohen nga Alvi, të cilës i thanë se ishin qëlluar nga ushtria në kokë.

“Ata nuk mund të flisnin dot, u bënë para-plegjikë. Vetëm rrinin shtrirë në ato krevate, dhe nuk ishin të vetmit. Ata nuk ishin palë luftuese, ishin fëmijë”, thotë Alvi.

Fëmijët janë më shumë se një e treta e 32,000 të vrarëve palestinezë gjatë fushatës një mujore të Izraelit në Gaza, ndërsa dhjetra mijëra të tjerë janë plagosur rëndë dhe me kanë pësuar prerje të gjymtyrëve.

Disa prej doktorëve thonin se nga tipi dhe vendi i plagëve të fëmijëve të sjellë në spital, besonin se ishin shënjestruar qëllimisht nga trupat izraelite, shkruan e përditshmja britanike The Guardian.

Në shkurt një grup ekspertësh të OKB akuzonin ushtrinë izraelite për goditje të qëllimshme ndaj civilëve të papërfshirë në luftë, madje dhe fëmijëve teksa kërkonin të strehoheshin për të shpëtuar.

“Jemi të shokuar nga shënjestrimi i qëllimshëm dhe vrasjet jashtë-gjyqësore të civilëve palestinezë teksa kërkojnë të shpëtojnë ose të strehohen, disa prej të cilëve kishin pëlhura të bardha në dorë kur janë vrarë nga ushtria ose forca të tjera me to,” shkruante grupi.

Ndërkohë palestinezët në Gaza raportojnë një tjetër zhvillim të tmerrshëm, teksa dronë të armatosur po patrullojnë rrugët për të zgjedhur individë.

Dronët e quajtur ‘quadcopter’, kontrollohen në distancë nga snajperë dhe besohet se janë përdorur për të qëlluar civilë.

Ushtria izraelite thotë se refuzon akuzat se ka qëlluar ndaj civilëve dhe se “nuk mund të hetojnë ankesat pa koordinatat e incidentit”.

Por doktorët thonë ndryshe.

Foto nga Dr Vanita Gupta

Dr Vanita Gupta, i spitalit të New York City që ka ardhur vullnetar në Gaza, tregon se një mëngjes te fëmijë të plagosur rëndë u sollën njëri-pas tjetrit. Ata kishin qenë bashkë në rrugë, kur u qëlluan në nje vend ku nuk kishte fare shkëmbime të tjera zjarri.

“Një fëmijë kishte plagën në kokë. Ata nisën të jepnin ndihmën e shpejtë për këtë vajzë pesë apo gjashtë vjeçare, por ajo vdiq”, tha Gupta.

Alvi, doktoresha kanadeze, u largua në shkurt nga Gaza kur ushtria kërcënonte sulmin tokësor ndaj Rafah. Alvi ka punuar më parë me refugjatët rohinga në Bangladesh, me sirianët e zhvendosur nga lufta dhe të mbijetuarit e tërmetit në Turqi.

“Kjo nuk është një luftë normale. Lufta në Ukrainë ka vrarë 500 të mitur në dy vjet, ndërsa në Gaza janë vrarë 10,000 fëmijë në pesë muaj. Kam parë luftën dhe më parë, por kjo është një njollë e errët për njerëzimin tone te përbashkët”. /TheGuardian/

FOTO GALERI
1/6
Femija duke marre kujdes ne spitalin e Rafah

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA