Parandalohet krimi në familje në Gjirokastër, 47-vjeçari qëllon disa herë me armë në banesë pas sherrit, ndërhyn policia

02/04/2024 12:41

Një ngjare e rëndë ka ndodhur në Gjirokastër, por për fat të mira pa të lënduar, pasi një 47-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri në banesë ku kishte familjarët. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, por pas ndërhyrjes së efektivëve, autori është arrestuar.

Njoftimi i policisë:

Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 09:15 të mëngjesit të sotëm, për motive të dobëta, një shtetas kishte qëlluar me armë gjahu, në drejtim të banesës ku ishin familjarët e tij, në zonën e quajtur “Ura e lumit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër organizuan punën dhe mbërritën në vendin e ngjarjes, për të arrestuar shtetasin përgjegjës.

Si rezultat, u bënë të mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti, si dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit L. S., 47 vjeç, banues në Gjirokastër.

Gjithashtu, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut me të cilën qëlloi i arrestuari.

Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel