Studiuesja Nevila Nika e ftuar në “Top Story” me moderatoren Grida Duma në Top Channel, foli për besimin e shqiptarëve në fetë monoteiste (islam, krishtërim) gjatë kohës së komunizmit kur nga viti 1967 Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë.
Ajo tha se qytetarët ishin të detyruar të aktorinin në situatën kur partia shtet, nuk njihte asnjë fe zyrtare. Studiuesja tha se ishin gjyshet ato që e mbajtën gjallë besimin nëpër shtëpitë e shqiptarëve.
“Ishin të detyruar të aktronim. Madje kudo. Ky aktrim bëhet një natyrë e dytë sepse asnjëherë nuk shfaqeje ajo që ishe apo mendoje. Unë mendoj që ne atë pak besim që mundi të mbijetojë pas gjithë asaj dhune, na vjen nëpërmjet gjysheve tona që nuk e kishin atë lloj frike që na injektohej çdo ditë. Gjyshet në masë, ishin ato që nuk kishin punuar kurrë. Jetonin në shtëpi, në atë varfërinë e tyre, dilnin pak jashtë dhe ata e mbajtën gjallë atë pak besim”– tha Nika.
Më tej, Nika tregoi sesi gjatë netëve të shenjta për muslimanët, gjyshet u mësonin sesi veprime të caktuara dënohen nga Zoti.
“Duhet thënë se diktatori ëndërronte të ishte Krishti, Muhamedi, apo Moisiu. Falë gjysheve, ne mundëm me shumë frikë të ruanim atë pak besim. Na kujtohet Nata e Kadrit. Gjyshja ime jo shumë besimtare e madhe, por thoshte mos e hidhni bukën poshtë sepse të vret baba Zoti, të kemi zemërgjerësi me të tjerët”– shtoi studiuesja.
Top Channel