GJKKO vendosi të sekuestrojë pasuritë e të afërmve të Gëzim Çelës, pas kërkesës së SPAK.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO sekuestroi:
1. “Njësi Tregtare”, me sipërfaqe 237 m2, në pronësi të shtetases M.Th., e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 321 120 Euro (sipas kontratës së porosisë së datës 18.02.2008);
2. “Apartament”, me sipërfaqe 74 m2, në pronësi të shtetases M.Th., e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 42 200 Euro;
3. “Apartament”, me sipërfaqe totale 77, 2 m2 në pronësi të shtetases M.Th., e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 40 000 Euro;
4. Automjetit BMW X3 3.0D, në pronësi të shtetasit N.Ç.;
5. Automjetit furgon i markës Mercedes Benz, Tipi 639, Modeli Vito 109 CDI, në pronësi të subjektit N.Ç.;
6. Shuma monetare në total prej 4 576 585 Lekë, në llogaritë bankare të shtetasit N.Ç;
7. Shuma monetare në total prej 57 219 Euro, përkatësisht në llogarinë bankare të shtetasit N.Ç. dhe e sekuestruar CASH shtetasit G.Ç;
8. Subjektin “X…….” sh.p.k., me administrator dhe ortak të vetëm shtetasin G.Gj, të gjitha asetet e tij, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë dhe pasuritë e luajtshme, automjetet Volkswagen Golf, prodhim i vitit 2015; B.M.W., prodhim i vitit 2011; Volkswagen, prodhim i vitit 2006; Audi, prodhim i vitit 2007; B.M.W., prodhim i vitit 2004; Fiat “Doblo”, prodhim i vitit 2014; Mercedez Benz, prodhim i vitit 2010; Daimler Chrysler, prodhim i vitit 2007; Volkswagen Golf, prodhim vitit 2009 dhe Volkswagen Golf Tdi, prodhim i vitit 2016.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi të lejë në burg baronin e drogës, Gëzim Çela, pas ekstradimit nga Kosova.
Ai u vu në pranga në muajin dhjetor të vitit të shkuar në Kosovë, ku narkotrafikanti kishte gjetur strehim, ndërkohë që në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti pasi nuk mundi të vihej dot në pranga gjatë operacionit “Flakë në det”.
Policia zbuloi se Gëzim Çela dhe grupi i tij i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik ku në një Velierë e shkëmbente kanabisin me Kokainë.
Emri i Gëzim Çelës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri pasi këtë aktivitet e ka nisur që në vitet 90. Dikur ish punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.
Top Channel