Ekskluzive/ Ish-punonjësi i policisë i kthyer në narkotrafikant, ekstradohet sot nga Kosova Gëzim Çela

07/03/2024 10:52
Gëzim Çela

Ish-oficeri i Forcave Speciale, Gëzim Çela, i njohur ndryshe si ‘Baroni’ do të ekstradohet sot nga Kosova për të vuajtur dënimin në Shqipëri.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, mëson ekskluzivisht se efektivët e Policisë së Shtetit po e presin Çelën në pikën e kalimit kufitar të Morinit në Kukës, ku do të bëhet dorëzimi nga pala kosovare.

“Baroni i drogës” u vu në pranga në muajin dhjetor të vitit të shkuar në Kosovë, ku narkotrafikanti kishte gjetur strehim, ndërkohë që në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti pasi nuk mundi te vihej dot në pranga gjatë operacionit “Flakë në det”.

Policia zbuloi se Gëzim Çela dhe grupi i tij i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik ku në një Velierë e shkëmbente kanabisin me Kokainë.

Emri i Gëzim Çelës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri pasi këtë aktivitet e ka nisur që në vitet 90. Dikur ish punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.

Top Channel