Napoli përgatit revolucionin, dy shqiptarë mes të preferuarve të De Laurentiis

31/03/2024 19:17

Humbja 3-0 në shtëpi përballë Atalantës ka nxjerrë edhe njëherë në pah brishtësinë e Napolit, që nga kampion në fuqi në Itali, këtë herë me shumë gjasa do të mbetet edhe jashtë zonës Champions në renditjes.

“Të kaltrit” kanë ndërruar tre trajnerë këtë edicion dhe duket se tekniku aktual, Calzona nuk e ka bindur presidentin De Laurentiis, që po përgatit një revolucion të vërtetë në merkaton e verës së ardhshme.

Duke nisur nga stoli, ëndrra e De Laurentiis është të sjellë në Napoli Antonio Conten, me këtë të fundit që është pushim dhe gati të rikthehet në punë, por kërkon një projekt fitues dhe garanci për investime.

Në rast dështimi për të marrë Conten, presidenti napolitan ka si plan B Vincenzo Italianon, trajnerin aktual të Fiorentinës, që ka bërë një punë për t’u admiruar te skuadra vjollcë dhe preferon rreshtimin 4-3-3, të njëjtë si Spalletti në sezonin e titullit kampion.

I sigurt është edhe largimi i Drejtorit Sportiv aktual, Mauro Meluso, që nuk ka bindur, teksa në Itali konfirmojnë negociatat e De Laurentiis me shqiptarin Igli Tare, i cili ka ushtruar këtë profesion për shumë vite me sukses te Lazio.

Ndërkohë ndryshime pritet të ketë edhe në organikë, teksa është thuajse e sigurt se sulmuesi Victor Osimhen do të largohet në fund të sezonit. Adhuruesit anglezë për të janë të shumtë, me Napolin që shpreson të arkëtojë rreth 130 milionë euro, të cilat do t’i shpenzojë për të afruar një tjetër qendërsulmues dhe një mbrojtës me eksperiencë.

Sa i përket pasuesit të Osimhen, alternativat janë tre, duke nisur nga Zirkzee i Bolognës, për të vijuar me Jonathan Davit të Lille dhe Santiago Gimenez i Feyenoordit. Në mbrojtje po studiohen profile të shumta, përfshi edhe mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Ardjan Ismajli, teksa ëndrra e vërtetë është rikthimi në huazim i mbrojtësit Kim Min Jae, që verën  e kaluar u shit te Bayern Mynih.

Ajo që mund të thuhet me siguri është që Napoli do të ketë një verë të nxehtë dhe me shumë ndryshime, për t’u rikthyer sërish konkurrues sezonin e ardhshëm./Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA