Iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale sot në QSUT, flet Veliaj: I japin mend botës dhe neglizhojmë veten, deri sa situata u bë akute

31/03/2024 22:01

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, pas ndërhyrjes kirurgjike ditën e sotme në QSUT.

Veliaj ka treguar se prej kohësh kishte neglizhuar shëndetin, deri sa sot iu desh të bënte një ndërhyrje për heqjen e tëmthit.


“Si shumë prej nesh, që i japin mend botës dhe neglizhojnë veten, kisha neglizhuar prej kohësh një problem me gurët në tëmth, deri kur situata po bëhej akute dhe u desh ndërhyrja kirurgjikale në QSUT, këtë fundjavë Pashke.

Por, teksa humba 2 gurë bashkë me tëmthin, fitova dy shokë për jetë, kirurgun e super talentuar Endri Shehu dhe reanimatorin ekselent, Ernest Caka, djem të rinj e të papërtuar, rritur me halle, e që ia kanë dalë vetë në çdo hap të karrierës.

Unë isha vetëm një nga 8 operacionet që ata kryen atë ditë, duke ruajur njerëzillëkun e mirësinë tek secili prej nesh, nga ora 8 e mëngjesit deri në mesnatë!

Por, nuk ka dishepuj të mirë pa mentorë të zotë si Prof. Arben Gjata dhe Prof. Krenar Lilaj, që kanë rritur një fidanishte mjekësh të rinj e të talentuar, me durim e mendje të hapur. Kujdesin e tyre ndaj meje dhe pacientëve të tjerë, këtë fundjavë, e përjetova plot mirënjohje dhe admirim.

Dhe qershia mbi tortë: një skuadër post operatore infermierësh, e drejtuar nga e papërtuara Aida Hajro, me djem e vajza të marrë me rezultate të shkëlqyera nga portali, më mbushi me shpresë sesi një reformë aq e debatuar ia ka dalë të prodhojë një dream-team, që ia kalon privatit, si në cilësinë e shërbimit edhe në kushtet e spitalit.

Shumë kurajo Ministres Albana Koçiu dhe Dr. Alma Canit, që po vazhdojnë me guxim dhe fokus punën e mbarë të nisur nga Ogerta Manastirliu dhe Albana Fico, për ta kthyer QSUT në hstori mbresëlënëse transformimi.

Ky vend ka kaq talent, mirësi, dashuri e mençuri, sa shpesh i çmojmë vetëm në fatkeqësi si tërmeti, pandemia apo sfidat personale. Ka policë, ushtarakë, zjarrfikës, mësues, mjekë e infermierë plot dinjitet e profesionalizëm, për t’i pasur zili e gjithë bota. Ndaj, lipset nga secili prej nesh ta inkurajojmë të mirën, të bukurën e talentin, çdo ditë!

Ky ishte përjetimi i kësaj Pashke nga unë, Ajola dhe Kajan, me lutjet për më shumë dashuri, shëndet e mbarësi për gjithë familjet tuaja e vendin tonë të bekuar! Përulësisht mirënjohje për gjithë mesazhet tuaja dhe bekime pafund!”, shkruan Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA