Ballkani këtë sezon për të dytin vit radhazi ka marrë pjesë në një turne të UEFA siç është Conference League dhe është e vetmja skuadër kosovare që e ka arritur një sukses të tillë.
Por në orët e fundit, Prokuroria e Prishtinës ka hapur hetime për trukim ndeshjesh e më konkretisht për atë mes Ballkanit dhe Dinamos së Zagrebit të zhvilluar në 5 tetor të 2023 në Fadil Vokrri e fituar nga skuadra e Ilir Dajës 2-0.
Sigurisht që ky lajm ka sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të skuadrës kampione të Kosovës që nëpërmjet një komunikate të publikuar në rrjetet sociale ka shfaqur indinjatën e saj për këto hetime
“Është shqetësuese tendenca për dëmtimin e imazhit të FC Ballkanit nga disa lajme që sot po qarkullojnë nëpër media dhe rrjete sociale-theksohet në komunikatën e klubit nga Suhareka-Jemi të indinjuar me atë se çfarë po tentohet të hidhet ndaj nesh, ndaj punës tonë shumë vjeçare, e cila në vete bartë sakrificën dhe mundin e të gjithë aktorëve brenda klubit, që me djersë punuan pafundësisht, që të arrijmë nivelet ku e kemi ngritur futbollin tonë dhe atë shtetëror’
Ballkani e vijon komunikatën e tij duke shtuar se po tentohet të hidhet baltë mbi një fitore historike siç ishte ajo me Dinamon e Zagrebit duke shtuar se është në dispozicion të autoriteteve për zbardhjen e kësaj historie.
‘Po tentohet të hidhet pluhur ndaj një fitore të jashtëzakonshme e historike të arritur ndaj skuadrës së madhe, Dinamo Zagreb, ndeshje që pushtoi mediat evropiane e botërore për suksesin e madh të skuadrës sonë-vijon komunikatën e tij Ballkani-Ftojmë të gjitha instancat e drejtësisë, Prokurorinë e Gjykatën, hetues e gazetarë, që të merren seriozisht me këtë çështje, duke sqaruar çdo detaj të mundshëm për opinionin publik. Dhe kur kjo të bëhet, të japin përgjegjësi të gjithë të involvuarit në këtë histori sepse ne nuk mund të lejojmë të përlyhet emri i klubit tonë, puna e djersa jonë. Ne jemi të hapur si gjithmonë për çdo kontribut ndihmese, e cila mund të jetë e nevojshme për organet kompetente, në mënyrë që gjithçka të zbardhet sa më parë.”
Top Channel