“Fol me Anila Hoxhën”/ Historia e 70-vjeçarit që i janë zhdukur vitet e pensionit: Punoj ende për të nxjerrë bukën e gojës

30/03/2024 21:42

Në episodin e radhës të podcastit “Fol me Anila Hoxhën”, projekt i qendrës FOL i mbështetur financiarisht nga ambasada amerikane në Tiranë që transmetohet të shtunën e fundit të çdo muaji në Top Albania Radio, tema e diskutimit ishte “Odisea e pensionistëve”.

Në Shqipëri numri i të moshuarve të përfshirë në skemën e pensioneve deklarohet 705 mijë persona, me një buxhet që për vitin 2024 është llogaritur 183 miliardë lekë.

Por përtej këtyre të dhënave , qindra qytetarë që kanë mbushur moshën e pensionit, vazhdojnë të përballen me gjykatat.  Aktualisht në gjykata presin 6500 të moshuar që kanë paditur Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore për të fituar të drejtën e pensionit. Ky fenomen i përvitshëm në gjykatat civile (për vërtetim fakti) dhe në administrative ( për shfuqizim akti mbasi ju refuzohet pensioni) ka ardhur nga djegia e arkivave në 1997 dhe së dyti nga shkrirja e kooperativave dhe ndërmarrjeve shtetërore, gjë që solli humbjen e viteve të kontributeve për shumë të moshuar. Çdo vit 2 mijë të moshuar që gjenden përballë këtij fakti hapin padi dhe vihen në kërkim të dëshmitarëve, ish kolegë që kanë punuar me ta.

Mosha e pensionit është  65 vjeç burrat dhe 61 vite e tetë muaj  për gratë. Megjithatë përveç fatlumëve, askush nuk mban përgjegjësi për ata të moshuar të cilëve u janë zhdukur dokumentat.

Në podcast, gazetarja Anila Hoxha sjell intervistën me 70-vjeçarin Mustafa Kokshi, i cili ka problemin me zhdukjen e disa viteve të punës në ndërmarrjen Josif Pashko.

Anila Hoxha: Si quhesh?  

-Mustafa Kokoshi

Anila Hoxha: Sa vjeç je ?

Mustafa  Kokoshi: 70 vjeç.

Anila Hoxha: Ke dalë në pension?

Mustafa Kokoshi: Kam dalë në pension. Tashti deri tashti nuk kam marrë gjë. 70 jam, por pension e gjë skam marrë. Por ja tani sa të bëhet gjyqi për  të dal në pension, gjasme për ato vitet se kanë pasur humbur vitet  të gjitha. Tu marrë me vërtetimin për sigurimet e për këto, tu i gjet kështu anash.  

Anila Hoxha: Ku ke punuar ?

Mustafa Kokoshi: Kam punuar në sektorin në kombinatin  “Josif Pashko”?  

Anila  Hoxha: Cfarë pune, cfarë detyre ke patur?  

Mustafa Kokoshi: Në atë kohë kam punuar në sektorin e Josif Pashkos, në gurore ashtu kam punuar 8 vjet pune po i humb dokumentat në kohën e 1997 u vu zjarr dhe Josif Pashko, u dogjën dokumentat.

Anila Hoxha: Dhe gjatë këtyre 5 viteve ti prisje që t’i gjendnin institucionet vitet që kishin humbur apo  pse prite kaq gjatë ?

Mustafa Kokoshi: Shumë i kam kërkuar. I kam kërkuar  nëpër sigurime dhe në asnjë vend nuk më dilnin këto. Kam shkuar, kam marrë vërtetimin vetë atje tek firma italiane që e kam marrë ajo se ma dhanë më shkrim , e ka blerë ndërmarrjen në 1992 dhe unë tha “i kam vënë dokumentat dhe ia kam dorëzuar shtetit” me një fjalë nuk keni pse vini tek mua sepse i kam dorëzuar shtetit këtë lloj dokumentash. I shkojnë atje i gjejnë vetë gjyqtarët, sigurimet.

Anila  Hoxha: Cili është komenti juaj për këtë zvarritje të gjatë, për këtë pritje të gjatë? Një betejë e  jotja  të cilin pret të marrësh pensionin atë që të takon.

Mustafa Kokoshi: Do të them një gjë unë ty, që shkatërrimi i dokumentacionit është bërë vetëm për korrupsion, merrja dokumentat këtij, jepja tjetrit, tjetrit jepja pensionin e dikujt tjetër dmth. me thënë të drejtën është bërë katastrofë,për mendimin tim.  Katastrofë.

Anila Hoxha: 5 vjet pritje janë shumë për ty?  

Mustafa Kokoshi: Po sa të duash janë, llogarit ti të jesh 70 vjeç dhe të punosh që të nxjerrësh lekun për të hëngër bukë. S’ka. Çfarë pensioni del?!Po hajde mo. Se me hëngër një copë bukë. S’ka aq mund të dalë 100-110 mijë lekë, s’del më tepër.        

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA