Analiza e VOA/ Beteja zgjedhore në Stamboll, përcaktuese për të ardhmen e Turqisë

30/03/2024 18:14

Në Turqi mbahen të dielën mbahen zgjedhjet lokale në mbarë vendin. Partia e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan AKP po përpiqet ta rimarrë pushtetin në Stamboll, qytetin kryesor të Turqisë, që dikur ishte baza e tij. Rezultati i këtyre zgjedhjeve vendore mund të ndryshojë trajektoren e Turqisë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po udhëheq fushatën e partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim, të njohur si AKP, për të zgjedhur kandidatin Murat Kurum si kryebashkiak të Stambollit në zgjedhjet e së dielës.

Zoti Kurum premton ndërtimin e gjysmë milioni shtëpish të reja për të mbrojtur Stambollin nga kërcënimi i tërmeteve.

Kryebashkiaku i tanishëm, Ekrem Imamoglu nga partia kryesore opozitare Partia Popullore Republikane, CHP, po paralajmëron se rikthimi i qeverisjes së AKP-së do të nënkuptonte ndërtimin e pakontrolluar në Stamboll.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për t’u dhënë përgjigje problemeve të pazgjidhura të qytetit, problemeve që janë përkeqësuar”, thotë ai.

Fitorja e papritur e zotit Imamoglu në zgjedhjet e vitit 2019 i dha fund qeverisjes 30 vjeçare të partisë së Presidentit Erdogan në Stamboll. Ajo u mundësua falë një aleance të gjerë zgjedhore ndërmjet partisë pro-kurde dhe partisë nacionaliste turke.

Por kjo aleancë u shpërbë pasi pësoi disfatë ndaj Presidentit Erdogan në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

“Koalicioni opozitar është i përçarë. Të gjithë kanë dalë me kandidatët e tyre… Gara është e ngushtë ose ndoshta zoti Ekrem Imamoglu ka epërsi disa pikëshe, provë e aftësisë së jashtëzakonshme të tij për të bërë fushatë dhe gabimeve diletante të Murat Kurumit”, thotë Atilla Yesilada, analist pranë “GlobalSource Partners”.

Fushata e zotit Imamoglu po transmeton video fushate për të fituar votat e kurdëve, në përpjekje për të rindërtuar aleancën e tij elektorale.

Në kushtet kur opozita ende nuk është rimëkëmbur nga disfata zgjedhore e vitit të kaluar, mbajtja e pushtetit në Stamboll, sipas analistëve, do t’ia shtonte gjasat për të sfiduar sërish Presidentin Erdogan.

“Zgjedhjet vendore të marsit japin shpresë se opozita mund të mobilizohet sërish dhe të paktën të mbrojë disa nga hapësirat e gjelbra ne lagjet e qytetit. Në këtë pikë ku jemi, është e rëndësishme që opozita të ruajë veten, të mbrojë shpresën se dikur, në të ardhmen, mund të ndodhë një ndryshim i vërtetë në shoqëri, në politikë”, thotë Sezin Oney, analiste e portalit “Politikyol”.

Ndërkohë që pakënaqësitë e popullatës me inflacionin e lartë po rriten, Presidenti Erdogan po viziton vendin, duke nxitur përkrahësit e tij t’u kërkojnë miqve dhe familjarëve të tyre në Stamboll që të votojnë.

“Nëse Erdogani fiton në Stamboll, votuesit e opozitës kurrë më nuk do të dalin në zgjedhje. Dhe pastaj çfarëdo që Erdogani ka në plan të bëjë, për shembull, t’i japë vetes një mandat të tretë, do ta ketë më të lehtë ta arrijë për shkak të kësaj apatie të votuesve. Së dyti, zoti Imamoglu ka gjasa të jetë rivali i tij i vetëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, thotë Atilla Yesilada, analist pranë “GlobalSource Partners”.

Analistët thonë se një fitore në Stamboll do t’i mundësonte zotit Erdogan të forcojë pushtetin e tij. Për zotin Imamoglu, fitorja do të konfirmonte se është i denjë për ta mundur zotin Erdogan./Zëri i Amerikës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA