Proteinat e kafshëve, thelbësore për rritje të shëndetshme, thotë studimi madhor i 50,000 grave

29/03/2024 21:52

Megjithëse ushqimi me bazë bimore po ngrihet në piedestal prej vitesh si më i ushqyeshëm sesa mishi, një studim madhor i Universitetit Tufts në SHBA, sugjeron se konsumi i rregullt i sasive të vogla të mishit dhe bulmeteve përmirëson plakjen e shëndetshme te gratë, shkruan e përditshmja Daily Mail.

Në studimin e më shumë se 48,000 grave gjatë tre dekadave, ato që hanin proteina me bazë bimore të shoqëruara me sasi të vogla proteinash nga kafshët, kishin 50 përqind më shumë shanse të ishin të shëndetshme në moshë të rritur ose të avancuar.

Studiuesit thanë se një dietë e tillë reduktonte shanset e sëmundjeve të zemrës, të kancerit, diabetit apo çrregullimeve konjitive të trurit.

Ky nuk është studimi i vetëm vitet e fundit që sugjeron se proteinat me origjinë nga kafshët, edhe kur masa kryesore e dietës është bimore, është thelbësor në parandalimin e sëmundjeve kronike.

Dr Andres Ardisson Korat, drejtuese e studimit të Tufts University, tha: “Konsumi i proteinave në moshën e mesme lidhet me ushqim të shëndetshëm në moshë më të madhe”.

“Ne zbuluam se ka të bëjë dhe origjina e proteinave, që do të thotë se ato me bazë bimore nëse kombinohen me proteina nga kafshët, çojnë në shëndet më të mirë dhe shanse të mira mbijetese në moshat më të avancuara”.

Të dhënat ishin mbledhur nga Universiteti i Harvard që kishte ndjekur një numër punonjësesh të shëndetësisë nga viti 1984 deri në 2016, thuhet në studim.

Fillimisht gratë e moshave 38 deri në 59 nuk kishin probleme ekzistuese shëndetësore, fizike ose mendore.

Çdo katër vjet grupi mblidhte të dhënat e pjesëmarrëseve dhe informacione e tipit të proteinave që konsumonin.

Më pas ata i krahasuan dietat e grave të shëndetshme pa sëmundje kronike ose të shëndetit mendor e fizik, me ato që kishin shfaqur gjendje të tilla.

Gratë që konsumonin proteina bimore nga perimet, frutat ose bishtajoret e frutat e thata, kishin 46 përqind më shumë shanse të ishin të shëndetshme teksa avanconin në moshë. Gratë që konsumonin vetëm proteina me bazë blegtorie kishin më shumë shanse të kishin sëmundje kronike teksa shtonin në moshë.

Ndërsa shanset më të mira të shëndetit i kishin ato që konsumonin proteina bimore të kombinuara me një sasi më të vogël proteinash me origjinë kafshësh. Studiuesit thonin se ushqimet duhet të përmbanin hekur dhe vitamina B12 për të mbështetur sistemin imunitar, nivelet e energjisë dhe funksionet e trurit, shkruan Daily Mail.

Konkluzionet e studimit përputhem me ato të studimeve të tjera që paralajmërojnë kundër një diete krejtësisht vegane ose vegjetariane.

Studimi u publikua dje në revistën ‘American Journal of Clinical Nutrition’.

FOTO GALERI
1/3
Ato që hanin proteina me bazë bimore të shoqëruara me sasi të vogla proteinash nga kafshët, kishin 50 përqind më shumë shanse të ishin të shëndetshme në moshë të rritur ose të avancuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA