Si çdo vit në të Premten e Mirë qindra portugëzë mblidhen në plazhin Magoito në rajonin jugor Sintra për të mbledhur midhje.
Ata thonë se kjo është një traditë respekti për zakonet kristiane ashtu si dhe një mënyrë e gëzuar për të siguruar ushqimin e ditës, duke bërë bashkë shokë e familjarë që shijojnë bukurinë e plazhit me shkëmbinj, në bregun e oqeanit Atlantik.
59 vjeçari vendas Carlos Rodrigues thotë se traditën e mbledhjes së Midhjes së Shenjtë në të premten e mirë, e mban mend që kur ishte fëmijë.
“Unë vij këtu prej kohësh. Mbaj mend që kur ishim fëmijë vinim këtu për ditën e mirë, në të cilën ndalohet të hash mish. Më parë të pasurit hanin peshk kurse të varfrit nuk mund ta blenin sepse nuk kishin para mjaftueshëm. Prandaj ata vinin për të mbledhur midhje dhe ruanin traditën të mos hanin mish në ditën e caktuar. Kështu besoj se ka lindur tradita e midhjeve në të Premten e Mirë”, thotë ai.
Arsenio, punonjës 51 vjeçar vendas, tha për rrjetin AFP se megjthse sivjet midhjet nuk janë shumë të mëdha, janë ‘të mbushura e të shijshme’.
“Së shpejti do të kthehet batica, por unë tashmë kam mbledhur mjaftueshëm midhje për të shoqëruar drekën me familjen. Nuk janë shumë të mëdha sivjet por janë të mbushura, janë të mira e shumë të shijshme”.
Farmacistja vendase Sonia Pedro, 49 vjeçe, tregonte për zakonet e ditës së veçantë: “Është një traditë që në këtë ditë të vijmë këtu te deti për të mbledhur mishje, gaforre apo barnakula të sjella nga deti. Ato i pjekim në sgarë sa për të krijuar një atmosferë festive, mbaj mend që e bënin edhe gjyshërit e mi, është një traditë e vjetër”. /AFP/
Top Channel