24 marsi shënoi 25 vjetorin e fillimit të operacionit Forca e Aleatëve – fushatës ajrore të NATO-s kundër ish Republikës Federale të Jugosllavisë gjatë luftës në Kosovë.
Bombardimet përfunduan më 10 qershor të vitit 1999, pasi Presidenti jugosllav Slobodan Millosheviç ra dakord të tërhiqte forcat e tij nga Kosova dhe të lejonte vendosjen e forcave paqeruajtëse. Më 25 mars, agjencia shtetërore ruse e lajmeve Sputnik mohoi shkakun e ndërhyrjes ushtarake – faktin që ndaj shqiptarëve në Kosovë po ushtrohej spastrim etnik.
“Para një çerek shekulli, bota e kuptoi se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e shohin globin si një fushë të tyre lojrash, ku bëjnë çfarë të duan,” shkruante Sputnik.
“Më 24 mars, 1999, shtetet perëndimore filluan të bombardojnë Beogradin, kryeqytetin e Jugosllavisë, nën pretekstin e sforcuar ‘për të mbrojtur’ kosovarët”, vazhdonte Sputnik.
Pretendimi i agjencisë Sputnik se nuk ekzistonte një pretekst për t’i mbrojtur shqiptarët e Kosovës është i rremë.
Studiuesit kanë debatuar se çfarë e shtyu NATO-n të fillonte fushatën ajrore kundër Jugosllavisë, që zgjati dy muaj e gjysmë dhe, nëse “ndërhyrja humanitare” ishte e ligjshme, sipas përkufizimit të ligjit ndërkombëtar.
Megjithatë, zhvendosja e dhunshme e qindra mijëra njerëzve, disa raste të vrasjeve në masë dhe shkeljet e rënda të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës i paraprinë fushatës bombarduese të NATO-s.
Rreth 250,000 shhqiptarë të Kosovës ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre para vjeshtës së vitit 1998. Përballë frikës të një katastrofe humanitare, ngjarjet si masakra e Drenicës në shkurt dhe mars të vitit 1998 dhe masakra e Reçakut në janar të vitit 1999, kontribuan në vendimin e NATO-s për të përdorur forcë ushtarake.
Dëshmitë nga vendi i ngjarjes të hartuesve të lartë të politikave në Uashington thonë se masakra e Reçakut “transformoi politikën e Perëndimit për Ballkanin”, duke bindur administratën e Presidentit të atëhershëm amerikan Bill Clinton dhe më pas aleatët e NATO-s, se “përpjekja gjashtë vjeçare për të mos lejuar shpërthimin e konfliktit etnik në Kosovë kishte e dështuar,” njoftonte në atë kohë Barton Gellman për gazetën “The Washington Post”.
Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare James Goldgeier dhe Gordana Grgiç argumentojnë se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 duhet të shqyrtohet në kontekstin e “shembullit më të madh të vrasjes në masë në Evropë” – gjenocidit në Bosnjë që Serbia dhe serbët e Bosnjës kryen gjatë luftërave jugosllave.
“Për më se një vit, bashkësia ndërkombëtare u përpoq të parandalojë regjimin e Millosheviçit për të mos sulmuar popullatën civile shqiptare në Kosovë, duke i vendosur sanksione në tregti dhe investime, ngrirë pasurinë dhe duke i vënë embargo karburantesh dhe armësh. Të gjitha këto masa ishin të kota dhe disa prej tyre tërësisht kundërproduktive, siç ishte rasti me embargon e armëve ndaj grupeve të armatosura shumë më pak të shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë që shkeljet e të drejtave të njeriut, dëbimet në masë dhe numri i të vrarëve filluan të rriten dhe përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar dështuan, u bë e qartë që ndërhyrja e drejtpërdrejt ushtarake mbeti opsioni i vetëm,” shkruajnë studiuesit Goldgeier dhe Grgiç.
Studiuesi i gjenocidit Gregory Stanton thotë se vet shprehja “spastrim etnik” ishte “shpikur nga Millosheviçi dhe propaganduesit serbë si eufemizëm për dëbimin me dhunë dhe gjenocidin.”
Kombet e Bashkuara thonë se termi spastrim etnik është “përkthim fjalë për fjalë i shprehjes serbo-kroate ‘etničko čišćenje’, por thekson se “rrënjët e sakta të shprehjes, apo kush e përdori atë i pari dhe përse, janë ende të paqarta.”
Megjithatë, rrënjët e konfliktit janë të ndërlikuara dhe asnjëra palë nuk është pa faj.
Në vitin 1989, si President i atëhershëm i Serbisë, Millosheviçi fitoi peshë politike duke hequr autonominë e Kosovës. Jugosllavia i kishte dhënë Kosovës, në atë kohë krahinë brenda Serbisë, statusin e autonomisë në vitin 1974. Në prill të vitit 1992, republika e Serbisë dhe republika e Malit të Zi krijuan Republikën Federale të Jugosllavisë, pasi shpërbërjes së Jugosllavisë pas luftërave jugosllave, që filluan në vitin 1991.
Millosheviçi shërbeu si President i Serbisë nga viti 1989-1997 dhe më pas mori pozitën e udhëheqësit të Republikës Federale të Jugosllavisë nga viti 1997 deri në vitin 2000.
Rezistenca e shqiptarëve të Kosovës kundër sundimit serb u shndërrua në kryengritje të armatosur të një niveli të ulët me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1996, e cila synonte shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia dhe ndoshta deri në krijimin e një “Shqipërie të Madhe.”
Kryengritja e armatosur fitoi peshë në vitin 1998, duke u pasuar nga një goditje e ashpër e qeverisë serbe ndaj popullatës shqiptare.
Me shtimin e sulmeve ndërmjet UÇK-së nga njera anë dhe forcave serbe e atyre jugosllave, nga ana tjetër, të dyja palët u përfshinë në krime që çuan drejt dështimit të përpjekjeve ndërkombëtare për të shmangur dhunën.
Civilët shqiptarë u dëmtuan më së shumti.
Në shkurt të vitit 1999, në bisedimet e paqes, të mbështetura nga NATO-ja në Rambouillet të Francës, palëve iu paraqit “Marrëveshja e Përkohshme për Paqe dhe Vetëqeverisje në Kosovë” që synonte “t’i jepte fund dhunës dhe të lehtësonte kthimin e refugjatëve dhe të të zhvendosurve.”
Kjo marrëveshje parashikonte tërheqjen e forcave serbe dhe jugosllave të sigurisë nga Kosova.
Marrëveshja gjithashtu parashikonte kthimin e autonomisë Kosovës dhe u jepte forcave të NATO-s “qasje të papenguar nëpër tërë Republikën Federale të Jugosllavisë.” Disa studiues dhe ish diplomatë amerikanë thonë se kushte të tilla ishin të papranueshme për Millosheviçin.
Refuzimi i Millosheviçit për të nënshkruar marrëveshjen përshpejtoi fushatën ajrore të NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan ndonëse shprehu keqardhje për veprimin ushtarak, tha se ai ishte opsioni i fundit i domosdoshëm.
Forcat serbe dhe jugosllave e përshkallëzuan fushatën e spastrimit etnik pas tërheqjes së Misionit Verifikues për Kosovën të Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunim në Evropë dhe fillimit të fushatës bombarduese të NATO-s.
Sipas organizatës me seli në Nju Jork, Human Rights Watch, 525,787 refugjatë nga Kosova u strehuan në shtetet fqinje në tre javët e para të fushatës ajrore dhe forcat qeveritare serbe dëbuan deri në fund të luftës 862,979 shqiptarë nga Kosova.
Studiuesi i organizatës hulumtuese amerikane RAND Corporation, Stephen Hosmer në vitin 2001 argumentoi se Millosheviçi i bëri llogaritë gabim, duke menduar se kriza e refugjatëve e shkaktuar nga fushata e spastrimit etnik të Serbisë në Kosovë, do t’i jepte atij ndikim mbi NATO-n që ta ndalonte bombardimet.
Ndërkohë që agjencia ruse Sputnik pohon se bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë, shkaktuan një krizë humanitare, civilët shqiptarë të vrarë nga forcat serbe dhe jugosllave të sigurisë përbëjnë përqindjen më të madhe të viktimave të luftës.
Sipas të dhënave të “Librit të Kujtesës për Kosovën”, që dokumenton vdekjet në periudhën 1998-2000 nga ky konflikt, numri i përgjithshëm i viktimave të luftës është 13,535. Sipas tij “10,317 civilë kanë humbur jetën, apo janë zhdukur për shkak të luftës, prej të cilëve 8,676 janë shqiptarë.”
Sa u përket civilëve të vrarë, 1,196 serbë, 445 romë dhe civilë të tjerë kanë humbur jetën.
Sipas organizatës joqeveritare, Grupi për Analizën e të Dhënave për të Drejtat e Njeriut, të dhënat e Librit të Kujtesës për Kosovën “dokumentojnë pothuajse të gjitha viktimat” gjatë periudhës së konfliktit.
UÇK-ja është e përfshirë në disa nga këto vrasje.
Sipas raportit të organizatës Amnesty International të vitit 2012, pretendohet se UÇK-ja ka rrëmbyer dhe vrarë 800 pjesëtarë të komuniteteve pakicë në Kosovë, përfshirë disa shqiptarë të Kosovës që besohet se ishin “bashkëpunëtorë”.
Gjatë fushatës 78-ditëshe ajrore, aeroplanët e NATO-s realizuan 38,400 misione, përfshirë 10,484 misione bombardimi, gjatë të cilave 23,614 bomba janë hedhur nga ajri.
Një mision gjithpërfshirës hulumtues i organizatës Human Rights Watch arrin në përfundim se “diku mes 489 dhe 528 civilëve jugsllavë janë vrarë” nga fushata ajrore e NATO-s. Organizata thekson se 62 deri 66 për qind e numrit të përgjithshëm të vdekjeve të civilëve janë shkaktuar në 12 incidente.
Bazuar në përpjestimin mes numrit të sulmeve ajrore dhe numrit të viktimave civile, Gjykaya Ndërkombëtare e OKB-së për Krime Lufte për ish Jugosllavinë vendosi që këto shifrat “nuk dëshmojnë se NATO-ja ka zhvilluar fushatë që ka patur për qëllim të shkaktojë viktima të konsiderueshme civile qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë.”
Tribunali i OKB-së po ashtu iu referua botimit të Ministrisë jugosllave të Punëve të Jashtme, me titull “Krimet e NATO-s në Jugosllavi”, që përfshin një shifër prej afro “495 civilëve të vrarë dhe 820 civilëve të plagosur në rastet e veçanta të dokumentuara.”/Zëri i Amerikës
Top Channel