Tensione në këshillin bashkiak të Himarës/ Qytetarët kërkojnë largimin e Tavos nga mbledhja, përplasen me policinë

29/03/2024 10:31
Banorët që ndjekin mbledhjen përplasen me policinë

Mbledhja e planifikuar e Këshillit Bashkiak të Himarës ku pritet të emërohet një prej nënkryetarëve si kryetar i përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, ka nisur me përplasje mes forcave të policisë dhe simpatizantëve të Fredi Belerit.

Këta të fundit, kanë kërkuar që drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Vlorës, Blendi Klosi dhe prefekti i qarkut Vangjel Tavo të mos jenë të pranishëm gjatë mbledhjes.

Tavo doli nga mbledhja dhe simpatizantët e Belerit me ofendime, tentuan ta shtynin deri tek dera. Ndërkohë Klosi vijon të jetë i pranishëm në mledhjen ku fillimisht do të diskutohet për rendin e ditës dhe më pas do të caktohet kryetari i përkohshëm mes 2 nënkryetarëve aktualë Blerina Bala dhe Pervin Gjikuria.

Kryetari i përkohshëm pritet të qëndrojë në post deri në zgjedhjet e reja vendore në bashkinë e Himarës pas arrestimit të kryebashkiakut në detyrë Jorgo Goro i cili akuzohet për tjetërsim pronash.

Top Channel