Autoritetet në Taxhikistan i kanë arrestuar nëntë persona gjatë kësaj jave në lidhje me sulmin vdekjeprurës në një sallë koncertesh afër Moskës më 22 mars, raportuan mediat lokale të premten, duke u thirrur në burime të sigurisë.
Ata u arrestuan nga shërbimi shtetëror i sigurisë në qarkun e Vahdatit, në periferi të Dushanbit më 25 mars, dhe u dërguan në kryeqytet.
Ata dyshohet se kanë lidhje edhe me Shtetin Islamik, i cili e mori përgjegjësin për sulmin terrorist në Moskë.
Një burim tjetër në Dushanb i ka thënë Radios Evropa e Lirë të premten se në mesin e të arrestuarve janë disa të rinj.
Më 26 mars, një burim brenda agjencive taxhike të sigurisë tha për REL-in se gjashtë persona u arrestuan në Vahdat nën dyshimin se kishin planifikuar sulm terrorist, por nuk dha më shumë hollësi.
Të enjten, Komisioni Hetues i Rusisë tha se e arrestoi edhe një të dyshuar në lidhje me sulmin në sallën e koncerteve, Crocus, ku u vranë 140 njerëz.
Komisioni nuk dha hollësi për identitetin apo veprimit e të arrestuarit, por tha se ai dyshohet si i përfshirë në financimin e sulmit.
Autoritetet ruse thanë ditë më parë se 11 të dyshuar janë arrestuar, përfshirë katër burra që dyshohet se e kryen sulmin.
Rusia i zbuloi emrat e të dyshuarave si Murodali Rajabalizoda, Dalerjon Mirzoev, Muhammadsobir Faizov dhe Faridun Shamsiddin, dhe tha se ata janë shtetas të Taxhikistanit. Ata kanë dalë para gjykatës nën akuzat për terrorizëm.
Reuters raportoi se hetuesit rusë udhëtuan drejt Taxhikistanit më 26 mars për t’i marrë në pyetje anëtarët e familjeve të të dyshuarve.
Shteti Islamik Korasan, degë e grupit të Shtetit Islamik, e mori përgjegjësinë për masakrën, por zyrtarët rusë kanë ngulur këmbë në pretendimet e tyre – pa dhënë kurrfarë dëshmie – se Ukraina dhe Perëndimi kanë gisht në sulm.
Kievi e mohon përgjegjësinë dhe zyrtarët ukrainas thonë se Moska po e shtyn këtë pretendim si pretekst për t’i shtuar luftimet në Ukrainë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i cilësoi akuzat e Rusisë se Ukraina është gjoja e përfshirë si “të pakuptimta dhe propagandë”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara i dhanë informata të hollësishme shërbimeve ruse të sigurisë për një sulm ekstremist në Moskë para se ai të ndodhte./REL
Top Channel