Të dielën në Turqi zhvillohen zgjedhjet lokale që shihen si një provë për popullaritetin e presidentit Recep Tayyip Erdogan, partia e të cilit do të përpiqet të rifitojë disa nga qytete kryesore që i humbi pesë vjet më parë.

Nëse opozita arrin të mbajë qytetet kryesore, kjo mund të shërbente për rigjallërimin e saj, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar.

Në zgjedhjet e fundit vendore të mbajtura në vitin 2019, opozita e bashkuar fitoi bashkinë e kryeqytetit Ankara dhe të qytetit të rëndësishëm për tregtinë, Stambollin, duke i dhënë kështu fund qeverisjes 25-vjeçare të këtyre qyteteve nga partia në pushtet.

Opozita pritet ta mbajë Ankaranë, ku kryebashkiaku Mansur Yavas, i konsideruar edhe si kandidat i ardhshëm për president, vazhdon të gëzojë popullaritet.

Profesori i shkencave politike në Universitetin Bilgi, Emre Erdogan, flet për një polarizim të vendit.

“Si rezultat i polarizimit në këtë vend, rreth dy të tretat e rezultateve të zgjedhjeve janë të ditura që tani. E dimë se çfarë do të ndodhë në Diyarbakir, apo në Mardin, ose në Kayseri. Nga 30 bashkitë e mëdha, ku jetojnë 75% e shtetasve turq, i dimë rezultatet për 24 apo 26 prej tyre”, thotë ai.

Në Stamboll, anketimet tregojnë për një garë të ngushtë mes Ekrem Imamoglut dhe Murat Kurumit. Presidenti Erdogan ka vënë 47-vjeçarin Kurum, ish-ministër i urbanizimit dhe mjedisit, për të kandiduar përballë kryebashkiakut aktual Ekrem Imamoglu, që vazhdon të jetë një politikan popullor nga partia e qendrës së majtë CHP. Emri i tij vazhdon të përmendet si kandidat i mundshëm për president.

“Stambolli është qyteti kryesor, pasi ka një të katërtën e popullsisë së Turqisë. Është gjigant; jozyrtarisht flitet për rreth 20 milionë banorë. Numri i refugjatëve që jetojnë në Stamboll është më i madh se numri i refugjatëve që jetojnë në të gjithë Holandën, apo në ndonjë vend tjetër. Së dyti, ka një buxhet të jashtëzakonshëm. Së bashku me kompanitë private vlerësohet të jetë në 10 apo 15 miliardë dollarë”, thotë profesori Emre Erdogan.

Por këtë radhë, Imamoglu kandidon pa mbështetjen e partisë kryesore pro-kurde, si dhe pa mbështetjen e partisë nacionaliste IYI, të cilat kanë dalë me kandidatët e tyre. Kurdët përbëjnë rreth 10% të elektoratit në Stamboll dhe vota e tyre mund të jetë përcaktuese për fituesin e zgjedhjeve.

Të dy kandidatët kanë premtuar projekte infrastrukturore në Stamboll për t’u dhënë godinave mbrojtje nga tërmetet dhe për të lehtësuar trafikun gjithnjë të rënduar të qytetit.

“Zoti na ruajtë të mos ketë ndonjë tërmet këtu në lagjen Beshiktash të Stambollit. Do të rrafshohej e gjitha. Njerëzit nuk do të kishin ku të iknin. Të kishte të paktën një zonë të hapur, një park, apo një vend ku mund t’i largoheshin tërmetit. Prandaj duhet të mbështesim kandidatin e AKP-së, Murat Kurumin dhe të votojmë për të. Ai do ta rigjallërojë Stambollin. Nëse shkatërrohet Stambolli, Turqia merr fund. Për të ardhmen e fëmijës tim, do ta mbështes Kurumin”, thotë Gungor Ugrac, votues 44-vjeçar në Stamboll.

“Jam shumë e kënaqur me kryebashkiakun Ekrem Imamoglu. Ka bërë punë të madhe dhe ka mbajtur premtimet. Ka bërë këtë shesh të ri. Ka përmirësuar transportin publik dhe sistemin hekurudhor të qytetit. Prandaj e mbështesim”, thotë Aysel Kaynar, votuese 58-vjeçare në Stamboll.

Nëse partia opozitare CHP arrin të mbajë qytetet kryesore, kjo do të rigjallëronte imazhin e partisë si një alternativë ndaj partisë në pushtet të presidentit Erdogan. Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, ai ka shfrytëzuar avantazhin që i jep pushteti, duke përdorur shpesh burimet shtetërore gjatë fushatës elektorale. Organizatat e monitorimit të mediave thonë se rreth 90% e mediave turke janë në duart e qeverisë dhe mbështetësve të saj dhe mbështesin fushatën elektorale të partisë në pushtet dhe aleatëve të saj, ndërsa ua mohojnë këtë mundësi partive opozitare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA