TikTok-u zbulon planet për të nisur qendrat zgjedhore online, si pjesë e përpjekjeve për të mbështetur integritetin elektoral gjatë këtij viti.

Platforma e shpërndarjes së videove njoftoi se më shumë se dy miliardë njerëz në mbi 50 vende priten të shkojnë në votime këtë vit. Qendrat e saj zgjedhore do të përdoren për t’i drejtuar njerëzit drejt informacioneve të besueshme. Por, TikTok-u ka një sërë telashesh në Amerikë.

Plot një muaj më parë, Shtëpia e Bardhë iu dha agjencive federale të SHBA-ve 30 ditë kohë për të fshirë aplikacionin e njohur të mediave sociale me pronësi kineze TikTok nga të gjitha pajisjet celulare të dhëna prej qeverisë, mes rritjes së shqetësimeve për sigurinë. Kanadaja njoftoi një ndalim të ngjashëm.

Kongresi, vetë Shtëpia e Bardhë dhe më shumë se gjysma e shteteve amerikane e kanë ndaluar tashmë median sociale TikTok, mes shqetësimeve se Kina mund të përdorë fuqitë e saj ligjore dhe rregullatore për të marrë të dhëna private të përdoruesve ose për të tentuar të përhapë dezinformimin apo narrativat që favorizojnë Pekinin. Forcat e armatosura të SHBA-ve e kanë ndaluar aplikacionin në pajisjet ushtarake dhe Bashkimi Europian ka ndaluar përkohësisht aplikacionin TikTok në telefonat e punonjësve.

Më shumë se dy të tretat e adoleshentëve amerikanë përdorin TikTok-un, i cili është në pronësi të ByteDance, një kompani kineze që e zhvendosi selinë e saj në Singapor në vitin 2020. Media sociale është vënë në shënjestër nga kritikët që thonë se qeveria kineze mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve si materialet që kanë shlfetuar apo vendndodhjen e tyre.

Kina thotë se ndalimet dëshmojnë pasiguritë e vetë Uashingtonit dhe përbëjnë abuzim të pushtetit. Si FBI-ja, ashtu edhe Komisioni Federal i Komunikimeve kanë paralajmëruar se ByteDance mund të ndajë të dhënat e përdoruesve të TikTok-ut me qeverinë autoritare të Kinës.

Ekzistojnë shqetësime se kompania po dërgon të dhëna të përdoruesve në Kinë, në shkelje të rregullave të rrepta europiane mbi privatësinë. Për më tepër, ka pasur shqetësime mbi përmbajtjen e TikTok dhe nëse aplikacioni dëmton shëndetin mendor të adoleshentëve.

Në vitin 2020, presidenti Donald Trump dhe administrata e tij u përpoqën të ndalonin marrëdhëniet me pronarin e aplikacionit TikTok, ta detyronin të shiste pronat e tij në SHBA dhe ta hiqte nga aplikacionet në telefona.

Gjykatat bllokuan përpjekjet e Trump-it për të ndaluar TikTok-un dhe presidenti Joe Biden, pasi mori detyrën, shfuqizoi urdhrat e Trump-it, por urdhëroi një studim të thelluar të çështjes. Një shitje e planifikuar e pronave të TikTok-ut në SHBA u anulua.

Në Kongres, të dyja partitë kanë shprehur shqetësim për aplikacionin. Në dhjetor 2023, Kongresi miratoi “Aktin Jo TikTok për pajisjet qeveritare”, si pjesë e një pakete gjithëpërfshirëse të financimit të qeverisë. Legjislacioni lejon përdorimin e TikTok-ut për raste të veçanta që lidhen me sigurinë kombëtare, forcimin e ligjit e qëllime kërkimore.

Top Channel