Akuza për keqpërdorime, dështon Komisioni Hetimor Parlamentar për prokurimet e negociuara në Kosovë

28/03/2024 15:43

Ka dështuar themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

Kjo pasi pushteti nuk propozoi emrat për përbërjen e komisionit, duke thënë që këtë e bëjnë pas zgjedhjeve nacionale, me të cilën nuk u pajtua opozita.

“Derisa ta marrin vendimin dhe derisa të jemi të bindur se këta vërtetë po kërkojnë zgjedhje ne nuk i kemi këta 5 emra”, tha deputetja e LVV, Mimoza Kusari Lila.

“Grupi Parlamentar i PDK ka propozuar një datë për zgjedhje dhe ajo datë është 9 qershor. Marrë parasysh josinqeritetin e këtyre dhe frikën për të shkuar në e dimë që ajo ka qenë vetëm një lojë fjalësh sepse këta nuk guxojnë ta shpërndajnë kuvendin më 9 qershor”, u shpreh deputeti i PD-së, Abelard Tahiri.

Opozita, përmes seancës së jashtëzakonshme kërkoi hetim për 781 kontrata të lidhura pa procedura të hapura të tenderimit, vlera e të cilave arrin në 209 milionë euro.

Në shtetin e Kosovës, 781 tenderë sekretë janë dhënë për tri vjet blera e tyre është 209 milionë euro. I bie që çdo ditë pune e hënë e premte në aparatin shtetëror të pushtetit jepen tenderë. Një tender sekret në ditë pune.

“Në ministrinë e Ekonomisë duke përfshi edhe ndërmarrjet publike që i raportojnë ministrisë, përfshirë KEK-un, Postën dhe Telekomin, prej periudhës 2021 dhe deri tash 151 kontrata njëburimore, të negociuara në katër sy, janë ulë me një shok, me një dost, me një anëtar të partisë me një financues të partisë, në katër sy, në një restorant, me një dhomë të errët dhe e kanë nda.151 kontrata, 124 milionë e 606 mijë e 73 euro, dil kolege trego cila përqindje është e jotja”, tha deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Arsyetim të kontratave njëburimore ka bërë edhe Ministri i Insfrastrukturës, Liburn Aliu, që sipas shifrave të opozitës për dy vjet vlera e kontratave të negociuara është mbi 10 milionë euro.

“Kemi të bëjmë me aneks kontrata dhe nga të gjitha këto kontrata që i përmendët në Ministrisë që përfaqësoj unë e kemi vetëm një kontratë, dhe kjo është kompania mbikëqyrëse, kompania Ingjinieri te pista e aeroportit që është dashtë me u zgjatë kontrata e tyre sepse ka mbet pa mbikëqyrje me kompaninë e njëjtë”.

Në seancën e së enjtes u diskutua edhe për 33 kontratat e negociuara nga Ministria e Punëve të Brendshme që kapin vlerën mbi 25 milionë euro, 56 kontratat e Ministrisë së Kulturës që arrijnë në 4 milionë dhe kontratat e Ministrisë së Drejtësisë që janë 13 sosh në vlerë mbi 4 milionë euro.

Themelimi i Komisionit Hetimor pritet të hidhet në votim në një seancë tjetër, pasi pushteti nuk mori pjesë në votim.

Top Channel