Telashet e Sandro Tonalit mund të mos kenë mbaruar. Federata angleze e ka raportuar zyrtarisht për shkeljen e rregullit të basteve, duke e akuzuar se ka vënë baste në futboll 50 herë midis 12 gushtit dhe 12 tetorit 2023, në dy muajt që ai qëndroi në Newcastle përpara se të fillonte hetimi që çoi në skualifikimin e shkaktuar ndaj tij.
Tonali ka afat deri më 5 prill për t’iu përgjigjur akuzave, gjë që mund të çojë edhe në zgjatjen e dënimit për mesfushorin që Magpies nënshkruan nga Milani verën e kaluar.
Hetimi nga Federata Angleze e Futbollit nisi pas mbylljes së asaj italiane, gjë që bëri që mesfushori i Newcastle të pezullohej për 10 muaj duke filluar nga e premtja e 27 tetorit.
Megjithatë, hetimi i FIGC-së u ndal në momentin e transferimit të Tonalit në Angli dhe FA, duke qenë se lojtari kishte pranuar se vuante nga varësia ndaj lojërave të fatit, donte të konstatonte nëse ish-lojtari i Milanit kishte vazhduar të bastonte edhe pas transferimit të tij.
Në njoftimin për shtyp të federatës nuk saktësohet nëse mesfushori italian ka vënë apo jo baste për ndeshjet e skuadrës së tij, duke u kufizuar vetëm duke thënë se ato janë baste për “ndeshjet e futbollit”.
Top Channel