Vodhi para, orendi shtëpiake dhe produkte ushqimore, publikohen pamjet kur ‘skifteri’ 46-vjeçar futet në banesë

27/03/2024 10:53

Një 46-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Himarës, pasi vidhte banesa në zonë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, angazhim maksimal në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i kryejnë ato. Finalizohet operacioni policor i koduar “Storm 14″. U kap në flagrancë duke vjedhur banesën e një shtetasi, vihet në pranga 46-vjeçari. Nga veprimet hetimore dyshohet se 46-vjeçari ka vjedhur edhe në një banesë tjetër, në Himarë. Sekuestrohen një shumë parash, orendi shtëpiake dhe produkte ushqimore, që dyshohet se janë vjedhur nga ky shtetas, në këto 2 banesa. Sekuestrohet edhe automjeti furgon që ai përdorte për të kryer vjedhjet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte hyrë për të vjedhur në një banesë në Himarë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të shpejta është arrestuar në flagrancë shtetasi: Sh. S., 46 vjeç, banues në Divjakë.

Gjatë kontrollit në automjetin furgon që 46-vjeçari përdorte për të kryer vjedhjet, shërbimet e Policisë gjetën një shumë parash dhe disa produkte ushqimore që ky shtetas dyshohet se i ka vjedhur në banesën e shtetasit K. Ll. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan vegla të ndryshme pune të cilat dyshohet se 46-vjeçari i ka vjedhur në një banesë, në Himarë, më datë 24.01.2024, bashkë me disa pajisje elektroshtëpiake. Vijojnë hetimet për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.

Top Channel