Deputeti i PS Erion Braçe, i ftuar sot në ‘Breaking” në Top News, foli për zhvillimet e fundit politike në vend, si rikthimi i jetës normale parlamentare, koncesionet dhe arrestimet brenda Partisë Socialiste.
Braçe sqaroi ndër të tjera arsyet se përse abstenoi për ngritjen e Komisioneve Hetimore të kërkuara nga opozita, kjo sipas tij, pasi ndër të tjera, nga katër komisione të kërkuara në fillim, u bënë dy.
Deputeti i PS tha se përse opozita nuk kërkon më hetim për dy nga koncesionet e shëndetësisë, ai për dializën dhe check up-in, që sipas tij një prej tyre ka pasur shumë probleme në zbatim dhe se kanë vdekur njerëz.
“Ato janë katër, pse u hoqën dy?! Për shkak të gjendjes së konfliktit të interesit? Marrëdhënies konstante me përfituesit e atyre kontratave koncesionare? Të paktën një prej atyre koncesione ka pasur probleme të rënda në zbatim, kanë vdekur njerëz… Si ka mundësi që këta partizanë të luftës nuk shkojnë të hetojnë zbatimin e asaj kontrate“, tha ai.
“Kur shfaqet një gjë që bie ndesh me bindjen time patjetër që do votoj dhe kundër. Abstenimi i fundit ka dy elementë të rëndësishëm. Nuk mendoj një hetim politik i Parlamentit duhet të konkurrojë një hetim penal si SPAK. Hetimi që kryen parlamenti është politik. Nuk mund të shërbejë për akuzë penale dhe nuk mund të konkurroje me asnjë institucion të drejtësisë. Këtë e bën SPAK. E kisha bindje dhe mu përforcua nga mbledhja e parë e këtij Komisioni. Çfarë ndodhi? Zonja që e drejton tha në mënyrë të qartë që ne nuk mendojmë se Beqaj ka shpërdoruar detyrën, por ka bërë korrupsion. po kush e akuzon për shpërdorim detyre? SPAK! Është një qëllim i Berishës për të delegjetimuar SPAK.
Për këtë arsye abstenova. Në fakt isha kundër por iu binda disa rregullave të grupit.
Është dhe koncesioni i TIMS… se komision ka të bëjë me të dhënat tona, që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria. Kush janë këta që do kenë në dorë të dhënat e mia dhe të tuat? Kur ta kenë certifikatën e sigurisë…. se nuk mendoj se njerëz që janë në procese gjyqësore, apo në marrëdhënie me eksponentë të krimit të organizuar, që të kenë akses në të dhënat e mia dhe të tua”, tha Braçe.
Top Channel