Fiks Fare/ Mësuesi me probleme të shëndetit mendor dhunon fëmijët!  Psikiatri: Shyqyr që nuk ka kryer ndonjë krim! Diagnoza e tij, ndër më të rëndat

27/03/2024 20:40

Emisioni Fiks Fare solli rastin e një mësuesi me probleme të rënda të shëndetit mendor që jep mësim në një shkollë 9 vjeçare në Grudë të Shkodrës.

Sipas prindit denoncues, mësuesi R. M dhunon fëmijët, por asnjë nuk e denoncon sepse e kanë frikë. Madje në bisedat e tij me gazetarët tregohej edhe se mësuesi ka qenë i shtruar në Psikiatrinë e Shkodrës disa herë.

Gazetarët e Fiksit sollën bisedën me mësuesin e matematikës i cili tregon se ka qenë i shtruar në psikiatri, por nuk mban mend diagnozën dhe këtë e ka bërë vetëm që të marri një raport në atë kohë dhe të justifikohet në punë.

Mësuesi në përgjigjet për gazetarët mohon dhunën ndaj fëmijëve, gjithashtu  mohon se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Madje në bisedë ai tregon se shtrimin e ka bërë në bashkëpunim me mjeken që të përfitonte, me doktoreshën psikiatre Valdete Hoxha.

Kjo e fundit mohoi kategorikisht atë që mësuesi u kishte thënë gazetarëve të Fiksit duke u vënë në dispozicion edhe fletëdaljen e fundit të mësuesit nga spitali. Shtrim i cili kishte zgjatur dy muaj dhe kishte dalë me një diagnozë të rëndë të shëndetit mendor dhe kronike.

Të njëjtën gjë tha për gazetarët e Fiksit edhe mjeku psikiatër i Qendrës Komunitare në Shkodër, Gjon Preçi. “Unë e njoh historinë e këtij personi, sepse para disa vitesh e ka sjellë i ati se e kishte dhunuar atë, por ishte shumë negativ daj mjekimit. Unë nuk di si nuk ka kryer ndonjë krim , sepse diagnoza e tij është ndër më të rëndat e shëndetit mendor”  thotë Preçi.

Ndërkohë në kartelën tek mjekja e familjes ky person është i shëndoshë klinikisht, kjo sipas mjekes sepse sistemi nuk është i lidhur automatikisht me specialistin dhe ajo as nuk ka pasur indicie se ai është një person me probleme. “Ai kishte shumë vite që nuk merrte dokument aftësie për punë, e mori 2 orë para se të na telefononit ju, dhe mua më ra pika” thotë mjekja.

Dokumenti i aftësisë për punë është detyrim ligjor për çdo mësues të dorëzohet çdo vit.

Kështu gazetarët e Fiksit kërkuan një përgjigje në Zyrën Vendore Arsimore Shkodër, ku kjo e fundit zyrtarisht dërgoi vetëm një raport aftësie, që ishte ky i fundit. Dhe për 15 vite mësuesi nuk kishte dorëzuar asnjë dokument të tillë.

Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Lezhë, thotë se mësuesi duhet të kishte raporte të përvitshme në dosjen e tij, por mungojnë.Institucioni u mjaftua vetëm me marrjen e masës karshi drejtoreshës së shkollës. Ndërkohë që mësuesi ‘i rrezikshëm’ sipas mjekëve ende vazhdon mësimdhënien.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel