Atentati ndaj Top Channel/ “Sulm terrorist”, eksperti i kriminalistikës: Krime që ngjallin panik, ende në fuqi 100 mijë euro shpërblim për këdo që ka informacion

27/03/2024 22:30

Profesori i kriminalistikës Ervin Karamuço, u shpreh se sulmi ndaj Top Channel një vit më parë, ku u zbrazën 25 plumba drejt godinës e ku mbeti i vrarë roja Pal Kola, ishte një sulm tipik terrorist.

Duke folur në “Top Story”, ai u shpreh se kjo është një ngjarje që ngjall panik pasi është sulmuar një institucion, dhe se policia do duhej që të kishte dalë në disa rezultate lidhur me autorët.

Karamuço shtoi se duhet rikujtuar se është ende në fuqi vendimi i policisë për 100 mijë euro shpërblim për këdo që ka dhe jep informacione lidhur me autorët.

“Ende nuk po na funksionojnë kamerat inteligjente për t’i pikasur në kohë. Këto janë krime që ngjallin panik. Është tipik vepër penale e aktit terrorist. Aktin terrorist ta bën dhe një individ i vetëm. Për fat të mirë nuk është djegur plotësisht makina dhe ka gjurmë, që më shumë janë biologjike. Në një vit të paktën duhej të kishte dalë një rezultat, di që janë bërë shumë punë, por ka pasur disa vonesa. E para se u angazhuan më shumë në pistat që ose roja kishte konflikt në shtëpinë e tij, ose në lidhje me konflikte që zhvilloheshin nga grupe jashtë Big Brother. Kjo harxhon energji se këto ngjarje po nuk u kapën orët e para, është shumë e vështirë. Por është ngritur kurba ende. Duhet thënë që kemi ende në fuqi 100 mijë euro për këdo që ka informacion. Kjo është ngjarje shumë e rëndë sepse flitet për një institucion”, tha ai.

 

 

Top Channel