Atentati ndaj Top Channel, kreu i policisë së Tiranës e pranon për herë të parë: Ngjarja duhet të ishte ndjekur më shpejt nga ana jonë!

27/03/2024 22:21

Në përvjetorin e sulmit terrorist ndaj Top Channel, Drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj pranoi në emisionin “Top Story” se ngjarja duhet të ishte ndjekur më shpejt.

Vocaj deklaroi se Policia e Shtetit duhet t’i kishte ndjekur më shpejt informacionet e caktuara dhe në momentin e djegies së automjetit në zonën e Golemit.

Tonin Vocaj: Ka pasur prezencë të prokurorisë atë natë, prokurorët janë informuar menjëherë nga momenti që policia ka marrë dijeni. Për shkak të rëndësisë, prezenca e prokurorisë ka qenë. Ka qenë në vendngjarjes dhe ambientet e policisë. Për shkak të rëndësisë që ka kjo çështje, drejtimi kryet nga prokuroria e Tiranës. Unë do tu shpjegoj që për këtë ngjarje, vazhdon të funksionojë një grup i dedikuar hetimor që drejtohet nga drejtuesi i rrethit gjyqësor Tiranë. Janë ndjekur një sërë informacionesh që janë mbështetur në prova. Në fazën e parë të hetimit, nuk është bërë e mundur të dokumentohet ligjërisht veprimtaria kriminale. Ne akoma nuk e kemi këtë.

Në momentin që do të vërtetohet që kemi pasur grup të strukturuar kriminal, patjetër që SPAK ka kompetencën ta thithë këtë çështje. Ne kemi gjithë dinamikën e ngjarjes, kemi sekuestruar dy armë në makinën e djegur në Golem. Nga vetë dinamika ka elementë të strukturimit por të ndodhi kjo duhet të kemi individë që të jemi në gjendje të ngremë akuzë. Nuk kemi persona nën hetim, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi asgjë.

Defekti i policisë së shtetit, po deklaroj  me përgjegjësi që policia e ka ndjekur gjithë hetimin e çështjes. Informacione të caktuara mund të ishte ndjekur më shumë, është momenti ku makina është djegur, duhet të ishte ndjekur më shpejt nga ana jonë. Kjo makinë ka qenë e një qytetari të republikës së Kosovës, ne e kemi pyetur. Nga momenti që policia ka marrë dijeni, kanë kaluar disa minuta që ishte e mjaftueshme që autorët të largohen, mbi 5 minuta. Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes, është ngritur në alarm gjithë drejtoritë fqinje. Janë ngritur postblloqe, por policia jo në çdo kohë ka postblloqe në rrugë.

Top Channel