Rrëzohet kërkesa e Rusisë: Pretendoi seancë të KS të OKB për sulmet e NATO-s në Serbi!

26/03/2024 13:06

Është rrëzuar pretendimi i Rusisë për mbajtjen e një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku të diskutoheshin bombardimet e NATO-s në Serbi 25 vjet më parë.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe vende të tjera  perëndimore, abstenuan në votim duke parandaluar futjen e kësaj teme në axhendëne  diskutimit. Rusia kishte kërkuar që pika e titulluar “kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” të bëhej pjesë e axhendës së takimit të së hënës të Këshillit 15 anëtarësh. Me këtë gjë ishte pajtuar sakaq Japonia, që mban kryesimin e Këshillit të Sigurimit.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, argumentoi se çështja e ndërhyrjes së NATO-s nuk është çështje historike, por Kosova, sipas tij, mbetet në axhendën e Këshillit, pasi tha se situata në këtë shtet është përkeqësuar së fundi. Ai e përshkroi ndërhyrjen ushtarake të aleancës si “shkelje madhore të ligjit ndërkombëtar” dhe Kartës së OKB-së. “Më 24 mars, koalicioni i aleancës të udhëhequr nga SHBA-ja bombarduan Jugosllavinë nën pretekstin e ndaljes së pastrimit etnik në Kosovë. Në fakt, policia dhe ushtria po luftonin kundër bandave të armatosura në Kosovë”, u shpreh Nebenzya.

Por Shtetet e Bashkuara i kujtuan se e mbështetën fushatën 78-ditore kundër objektivave policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë, si një “veprim të nevojshëm dhe legjitim për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë”. “Abstenuam për shkak të qasjes së Rusisë. Ne mund të mbështesim një takim në një format të duhur që adreson ngjarjet e vitit 1999. Nuk mund të mbështesim një takim që haptas instrumentalizon ngjarjet tragjike të shekullit të kaluar për të çuar përpara një fushatë propaganduese”, tha përfaqësuesi i SHBA-së, duke shtuar se qëllimi i Rusisë është që të nxisë tensione dhe të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Përfaqësuesi i Francës nga ana tjetër deklaroi se “Rusia, në mënyrë cinike po përdor çështjen e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s më 1999 dhe po tenton që të justifikojë luftën e saj kundër Ukrainës, siç ka bërë në të kaluarën, për të justifikuar politikën e saj të jashtme agresive në Gjeorgji dhe Krime”.

Top Channel