“Mollë sherri” një vajzë! Përplasja me armë në Shijak, gjykata lë në qelitë e paraburgimit pronarin e biznesit

26/03/2024 13:17

Gjykata e Durrësit lë në qelitë e paraburgimit pronarin 27-vjeçar të biznesit në Shijak, ku të premten ndodhi një shkëmbim zjarri, gjatë të cilit u plagos një 36-vjeçar.

Alban Domi u arrestua nga policia nën akuzën e kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa autori i dyshuar i plagosjes dhe një person tjetër që ndodhej me të janë ende në kërkim nga policia.

Hetimet për zbardhjen e rrethanave të plagosjes së Enidor Dedjas në Xhafzotaj të Shijakut çuan në zbardhjen e konfliktit që u shndërrua në breshëri plumbash.

Përplasja me armë erdhi pas një konflikti mes të arrestuarit Alban Domi dhe 33-vjeçarit Xhejms Palodhi, për shkak se Domi kishte ngacmuar një vajzë me të cilën kishte pasur më parë një lidhje dashurie.

I afërmi i vajzës Palodhi ka udhëtuar  së bashku me Arbër Hoxhën 30 vjeç drejt biznesit, një dyqan për aksesorë automjetesh, për t’u sqaruar me Alban Domin, por në debat e sipër janë konfliktuar fizikisht me të.

Hoxha dyshohet se ka qëlluar në drejtim të Domit dhe biznesit të tij dhe si pasojë u plagos në këmbë E. Dedja i cili ishte në dyqan kur ndodhi konflikti.

Nga hetimet rezultoi se dhe pronari i dyqanit është kundërpërgjigjur me armë zjarri të llojit pistoletë, e cila u sekuestrua nga policia në cilësinë e provës.

Ndërkaq prej disa ditësh vijon puna për kapjen e Hoxhës dhe Palodhit që u larguan menjëherë pas ngjarjes me një automjet tip “Ford Fiesta”. Ndaj tyre janë ngritur paraprakisht akuzat për vrasje me dashje, mbetur në tentativë, dhe armëmbajtje pa leje.

Top Channel