Me 4 kallashnikovë dhe 5 pushkë në bagazhin e makinës, arrestohen pesë të rinj në Tiranë! Mes tyre edhe ish-efektivja e Burgjeve (EMRAT)

26/03/2024 11:16
Arrestimi i të dyshuarve për trafik armësh

Pesë të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës në një parking në Rrugën e Rinasit nën akuzën e trafikut të armëve pasi në automjetet me të cilat qarkullonin, u gjetën 9 armë zjarri (4 kallashnikovë, 5 pushkë) si dhe municion luftarak.

Në kuadër të operacionit të koduar “Repishti” në pranga kanë rënë të rinjtë Sabian Hasaj, 22 vjeç, Redi Nika 18 vjeç, Denis Hasaj 18 vjeç, Denisa Halilaj 22 vjeçe, Mirjan Hasaj 26 vjeç, të gjithë banues në Malësi të Madhe.

Denisa Halilaj, ish-efektive e policisë së Burgjeve rezulton të ketë qenë punësuar në burgun e Reçit në 2022-i për t’u pushuar nga detyra për mos-paraqitje në punë për më shumë se 5 ditë pa pasur arsye.

Sipas hetimeve, dyshohet se të arrestuarit pasi i kishin siguruar armët në Shkodër, i kishin sjellë në Tiranë për t’i shitur tek persona të tjerë.

Gjatë kontrollit të kryer në automjetin tip “BMW” që drejtohej nga 26 vjeçari, Mirjan Hasaj, u gjetën dhe sekuestruan armët tip kallashnikov e pushkë si dhe krëhra, municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Policia sekuestroi gjithashtu edhe 5 aparate celularë të të arrestuarve dhe një tjetër automjet me të cilin qarkullonin.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel