Gjeorgjia shkruan historinë. Ruleta e penalltive u buzëqesh vendasve në Tbilisi, që triumfuan ndaj Greqisë me rezultatin 4-2 me penallti, duke siguruar për herë të parë në histori kualifikimin për në Kampionatin Europian të Futbollit.

Në Tbilisi u zhvillua një ndeshje mjaft e luftuar, me të dy skuadrat, që krahas tentativave për të shënuar, nuk e humbin asnjëherë vigjilencën në prapavijë, duke ditur edhe rëndësinë e takimit.

90 minutat e kohës së rregullt nuk prodhuan asgjë për t’u shënuar dhe të dy skuadrat iu drejtuan shtesës prej 30 minutash, që gjithashtu u zhvillua e qetë.

Për t’u përmendur një traversë e Mavropanos në shtesë dhe një rast i mirë i gjeorgjianëve, që gjithsesi patën vlerë vetëm statistikore, pasi me shifrat 0-0, skuadrat iu drejtuan penalltive për të vendosur biletën për në Europianin e Gjermanisë./Super Sport

Top Channel