Të mërkurën do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE.
Në Kosovë, presin që raporti të marrë dritën e gjelbër dhe të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë optimistë se Kosova do të anëtarësohet në Këshill të Evropës në muajin maj, ndërkaq lajme pozitive presin edhe nga opozita dhe shoqëria civile.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, thotë për KosovaPress se rekomandimi i raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis është që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Sipas tij, në raport theksohet se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet derisa hiqet edhe fusnota në referimin ndaj Kosovës.
“Në fund të raportit rekomandimi, opinioni i zonjës Bakojanis është që Kosova të bëhet anëtare e plotë e kësaj organizate. Për më tepër po hiqet edhe fusnota. Kosova është trajtuar me fusnotë që nga fillimi i raporteve me Këshill të Evropës, do të kemi denominim sikurse çdo vend të tjetër. Po ashtu nuk ka parakushte pasi janë plotësuar të gjitha ato, këto reflektohen edhe në opinionin e zonjës Bakojanis”.
Krahas kësaj, Ahmeti thotë se janë duke lobuar intensivisht që Kosova të marrë votat e nevojshme për anëtarësim në KiE, derisa shton se sot kanë konfirmuar votën pro edhe të Malit të Zi, përkundër paralajmërimeve se deputetja, Maja Vukiçeviq, që është kryetare e delegacionit malazias në Asamblenë Parlamentare, do të votojë kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.
“Ne sot kishim konsultime politike me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, delegacionet e të cilave i pritëm. Mali i Zi do të votojë në favor të anëtarësimit të Kosovës dhe në këtë nuk ka asnjë dilemë. Çfarë mund të bëjë qëndrime ndonjë deputetë brenda delegacionit në Asamblenë Parlamentare është çështje e orientimeve të partive të tyre. Unë nuk shoh asnjë arsye që të kemi më pak mbështetje sesa që kishim me 24 prill, ku ambasadorët me udhëzimet e këtyre ministrave na votuan në favor me më shumë vota që ishin e nevojshme minimalisht. Jam optimist se do të kalojmë edhe në maj, kjo nuk është garanci. Askush nuk mund të garantojë as për kalimin dhe as dështimin apo shtyrjen. Asnjë shtet nuk mund t’i përfaqësojë 45 shtete të tjera. Pasi të kalojmë fazën e Asamblesë Parlamentare do të jemi në një fazë të re të lobimit dhe betejës diplomatike që Kosova të anëtarësohet”.
Në anën tjetër, optimiste është edhe deputetja e PDK-së, njëherësh anëtare e delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Ariana Musliu, e cila thotë se Kosova meriton të jetë pjesë e Këshillit të Evropës.
“Kosova si shtet demokratik, në çdo hap te saj, nga viti 1999 ka qenë dhe është e përkushtuar në rrugëtimin dhe integrimin euroatlantik. Shpallja e pavarësisë, miratimi dhe mbikëqyrja e zbatimit te ligjeve, ndërtimi institucional, respektoni i të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit, të drejtat e minoriteteve, zhvillimi i demokracisë janë dëshmi që Kosova është meritore të jetë pjesë e familjes së Këshillit te Evropës”, thotë ajo për KosovaPress.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të mblidhet në muajin prill, derisa Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtëm në maj. Përkushtimin për anëtarësim në Këshill të Evropës e dëshmuan edhe tre liderët e institucioneve të Kosovës, përmes një letre dërguar raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis, ku zotohen se do t’i zbatojnë të gjitha zotimet e marra përsipër nga dialogu i Brukselit, përfshirë Asociacionin.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës në vitin 2022.
Top Channel