Gara e kamarierëve në Paris/ Tregojnë aftësitë, duke ecur për dy kilometër me tabakanë plot

25/03/2024 11:50
AFP/Getty Images

Kamarierët, një hallkë shumë e rëndësishme e bareve dhe restoranteve, marrin jo pak kritika, që nga paaftësia te sjellja e vrazhdë me klientët.

Por në Paris, në një organizim të rrallë, kamarierët dhe kamarieret shfaqët aftësitë e tyre, duke mbajtur një tabaka me një filxhan kafe, një gotë ujë dhe një briosh, teksa përshkojnë një rrugë prej dy kilometrash.

200 punonjës nga kafenetë më të mira të kryeqytetit francez, të veshura në mënyrë klasike me pantallona ose funde të zeza, përparëse dhe një bluzë të bardhë, dolën në rrugët e Parisit për të konkurruar dhe për të argëtuar të pranishmit.

Për të fituar garën, pjesëmarrësit jo vetëm që duhej të ishin të shpejtë, por edhe të kujdesshëm. Çdo ndryshim në përbërjen e tabakasë së tyre do të ndikonte në rezultatin e tyre përfundimtar. Asgjë nuk duhej të derdhej.

“Unë u përpoqa ta mbaj tabakanë, është shumë e rëndë”, u tha kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo gazetarëve pak para fillimit të garës.

“Duhet të ecësh shpejt, por jo shumë shpejt”, tha një nga konkurrentet. Megjithatë, incidentet ishin të pashmangshme.

Në fund të garës, Pauline Van Wymeersch nga Café le Petit Pont dhe Samy Lamrous nga La Contrescarpe, triumfuan si më të shpejtët, duke fituar bileta për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike dhe ndoshta, duke fituar besimin e më shumë klientëve.

Sipas autoriteteve, eventi promovon sportin “përsosmërinë e shërbimit francez” ndërsa vendi bëhet gati të presë Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike Verore 2024.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA