E goditi në kokë dhe i vodhi xhiron ditore faturinos së autobusit të linjës “Tiranë-Prishtinë”, arrestohet në Mirditë 25-vjeçari

24/03/2024 10:58

Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi i vodhi xhiron ditore fatorinos së autobusit të linjës “Tiranë-Prishtinë” rreth mesnatës në Rrugën e Kombit.

Pas kallëzimit të faturinos se rreth mesnatës një person e kishte goditur në kokë, për t’i marrë çantën e brezit, me para, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan punën për të identifikuar dhe arrestuar autorin.

Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Linja”, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të rastit, Emirjan Deda 25 vjeç, banues në Laç.

Gjithashtu, u gjet shuma e parave të vjedhura me dhunë, 675 €, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Sipas policisë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”.

Top Channel