Shakaja mizore $400 ndaj picerisë, kthehet në akt të rrallë dashamirësie (fotot)

23/03/2024 15:57

Një individ që bëri një porosi gjigante në një restorant picash dhe më pas u zhduk duke lënë aty ushqimin, bëri që stafi ta kthente aktin e tij dashakeq në një mënyrë ndihme për familjet lokale në nevojë.

Restoranti picave ishte habitur kur mori porosinë e madhe e të shtrenjtë, që më pas rezultoi një shaka mizore.

Restoranti Aroma Pizza House në Adelaide, Australi humbi rreth $400 kur individi porositi pica, sanduiçë e gatime peshku, para se të zhdukej dhe të linte aty ushqimin.

“Një individ i pashpirt u zhduk duke lënë pronarët me një faturë të madhe dhe zemër të thyer. Ata më pas shpërndanë ushqimin për njerëzit në nevojë”, tha bamirësia lokale e fëmijëve duke vlerësuar aktin e pronarëve të dyqanit.

Pronari restorantit Benkil Sheh megjithë humbjen, kishte nisur të telefononte grupe bamirësie për të shpërndarë pakot e mbetura të ushqimeve. Ato u dërguan më pas nga anëtarët e stafit  te bamirësia e fëmijëve Puddle Jumpers.

Një zëdhënës i saj tha në rrjetin Facebook: “Megjithë zhgënjimin e tyre, pronarët treguan bujari dhe dashamirësi të pashembullt. Në vend që ushqimi të shkonte dëm, ata kontaktuan me ne dhe na dërguan ushqimin për kuzhinën tonë, që të mos mbetej pa ngrënë”.

Akti i restorantit u vlerësua nga shumë përdorues të rrjetit pas shpërndarjes së imazheve.

Një prej tyre shkruante: “Ju lumtë Aroma Pizza, më vjen keq për atë që ju ndodhi. Por me këtë që bënë unë do të shpërndaj kudo emrin tuaj që komuniteti t’ju mbështesë”.

Dhe në fakt bujaria e tyre u shpërble me një rritje të madhe të porosive që prej publikimit të ngjarjes

“Shpresoj që veprimi juaj i dashamirësisë të shpërblehet me shumë klientë të rinj e besnikë”, shkruante një tjetër.

FOTO GALERI
1/3
Restoranti Aroma Pizza House në Adelaide, Australi humbi rreth $400 kur individi porositi pica, sanduiçë e gatime peshku, para se të zhdukej dhe të linte aty ushqimin.

Top Channel