Breshëria e plumbave mbi biznesin në Shijak dhe plagosja e 36-vjeçarit, zbardhet ngjarja, pranga pronarit, dy në kërkim

23/03/2024 11:54

Pronari 27-vjeçar i biznesit në Shijak ku të premten ndodhi një shkëmbim zjarri, gjatë të cilit u plagos një 36-vjeçar, u arrestua nga policia nën akuzën e kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Ndërkohë autori i dyshuar i plagosjes dhe një person tjetër janë ende në kërkim nga policia. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të plagosjes së Enidor Dedjas në Xhafzotaj të Shijakut çuan në zbardhjen e konfliktit që u shndërrua në breshëri plumbash në Xhafzotaj të Shijakut. I arrestuari Albano Domi ishte kthyer në shqetësim për ish-të dashurën edhe pas ndarjes, ndaj ajo ka kërkuar ndihmën e të afërmve të saj.

Pas një konflikti mbrëmjen e së enjtes në Durrës, i afërmi i vajzës, Xhejms Palodhi 33 vjeç së bashku me Arbër Hoxhën 30 vjeç kanë udhëtuar nga Durrësi drejt biznesit të vëllezërve Domi për t’u sqaruar. Por në debat e sipër janë konfliktuar fizikisht me Albano Domin dhe më pas kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tij. Si pasojë e të shtënave u plagos në këmbë dhe Dedja i cili ishte në dyqan kur ka ndodhur konflikti.

Nga hetimet rezultoi se dhe pronari i dyqanit është kundërpërgjigjur me armë zjarri të llojit pistoletë dy shtetasve nga Durrësi. Policia ka sekuestruan dhe pistoletën që dyshohet se është përdorur nga pronari i dyqanit, ndërsa vijon punën për kapjen e dy personave të tjerë që u larguan menjëherë pas ngjarjes me një automjet tip Ford Fiesta.

Ndaj dy të kërkuarve janë ngritur paraprakisht akuzat për vrasje me dashje, mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Top Channel