Policia plagosi trafikantin/ Efektivi qëlloi për vetëmbrojtje gjatë aksionit të arrestimit, AMP nis hetimet

22/03/2024 13:52

Rreth orës 23.00 të së enjtes në rrugën “Mihal Duri” kishte zbarkuar policia, e cila po gjurmonte një rast të tregtimit të kokainës. 

3 persona të dyshuar erdhën në këtë rrugë pa krye për të shitur 1 kilogra kokainë dhe kur kuptuan se kishin rënë në kurthin e policisë tentuan të largohen duke përplasur fillimisht një makinë policie dhe duke rrezikuar jetën e efektivëve në terren.  Në këto kushte një prej policëve ka qëlluar duke plagosur një prej të dyshuarve.

Plumbi i vetëm i qitur nga arma e shërbimit të policit ka plagosur në fundshpinë Eneo Sulejmanin, që ishte në drejtimin e mjetit. Ai u transportua në Spitalin e Traumës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetë, ndërkohë që në pranga u vunë dhe dy shokët e tij që po ashtu ishin në mjet, Ilir Begaj dhe Shkëlqim Osteni. Po ashtu, u shpall në kërkim dhe një person tjetër bashkëpunëtor i tyre. Nga kontrolli i mjetit, policia gjeti 1 pako me 1 kg kokainë që të dyshuarit do t’ia shisnin shpërndarësve në zonën e Xhamllikut. Policia kishte rreth 2 muaj që gjurmonte këtë grup të cilët ishin furnitorë të shpërndarësve të arrestuar më herët gjatë operacionit “Tempulli”.

Për rastin, hetime po kryen dhe nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, e cila po bën të gjitha veprimet e nevojshme hetimore procedurale përfshirë kqyrjen dhe analizimin e pamjeve filmike të vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e proporcionalitetit të veprimeve policore, nëse ato kanë qenë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme  së policisë në këtë operacion. Nga verifikimet paraprake, rezulton se policia ka reaguar kur të dyshuarit kanë kryer manovra me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë.

Top Channel