Zyrtarët akuzojnë ish-presidentin se ka dhënë informacione të rreme në sistemin e shëndetit publik duke bërë të dukej se kishte bërë vaksinën e Covid, kur në fakt ishte ndryshe.
Tashmë policia federale e Brazilit akuzon Jair Bolsonaro për “lidhje kriminale” dhe falsifikim të të dhënave të vaksinimit, teksa ekspertët thonë se të tjera padi ndaj tij mund të priten.
Por në kohën e pandemisë Bolsonaro ishte mes pak liderëve botërorë që flisnin hapur kundër vaksinës dhe kufizimeve të shpallura, duke ftuar publikun të ndiqte shembullin e tij.
Administrata e tij injoronte ofertat e grupit farmaceutik Pfizer për të shitur miliona vaksina në Brazil në 2020, si dhe kritikoi lëvizjen e kryebashkiakut të São Paulo që bleu vaksina nga kompania kineze Sinovac.
Ish presidenti refuzon akuzat duke pranuar se nuk e ka bërë vaksinën e Covid-19.
Ai tha: “Ky është një hetim selektiv, unë jam i qetë se e gjithë bota e di që nuk e kam bërë vaksinën”.
Policia akuzon Bolsonaro se kanë ndërhyrë në të dhënat e ministrisë së shëndetësisë para se ai të udhëtonte drejt SHBA në dhjetor, ku nevojitej një çertifikatë vaksinimi për të hyrë.
Gjykata lëshoi paditë ndaj Bolsonaro e 16 personave të tjera për regjistrimin e të dhënave të rreme të cilat bënin të dukej se ish presidenti, bija e tij 12-vjecare dhe të tjerë të rrethit të tij, e kishin bërë vaksinën.
Bolsonaro vijon të ruajë mbështetje të gjerë në publik teksa muajin që shkoi në mitingun e organizuar në qendër të São Paulo erdhën më shumë se 200 000 njerëz.
Tashmë gjykata e ka shpallur atë të paaftë për të kandiduar deri në vitin 2030, me akuza se ka abuzuar me pushtetin në fushatën e 2022./TheGuardian/
Top Channel