Fulhami, klubi aktual i Armando Brojës, lajmëroi nëpërmjet një njoftimi në kanalet zyrtare se duke nisur nga sezoni i ardhshëm, ndihmësi i trajnerit Marco Silva do të largohet.
Fjala është Luis Boa Morte, i cili iu bashkua londinezëve në momentin që portugezi Silva mori drejtimin e skuadrës.
Silva e shndërroi Boa Morten në njeriun e tij të besuar duke i ofruar postin e zëvendëstrajnerit. Mirëpo, nga sezoni i ardhshëm 46-vjeçari do të tentojë të jetë vetë protagonisti kryesor pasi do të marrë drejtimin e kombëtares së Guinea Bissau.
Klubi londinez e falenderoi paraprakisht Boa Morten për kontributin e tij jo vetëm në periudhën si zëvendëstrajner i Silvës, por edhe për kohën kur ka shërbyer si futbollist duke regjistruar 250 paraqitje dhe 54 gola me Fulham.
Top Channel