Në emisionin “Top Story” me moderatoren Grida Duma në Top Channel u diskutua mbrëmjen e sotme mbi projektin prej 1 mld eurosh që dhëndri i ish-presidentit amerikan Trump ka në plan ta zbatojë në ishullin e Sazanit për ta kthyer në një eko-resort luksoz.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj tha se një projekt i tillë duhet vlerësuar pozitivisht dhe se shteti duhet të ndërmarrë hapa sa më të shpejtë për të mundësuar kushtet që të vihet në zbatim.
“Hapi i parë është ta vlerësojmë pozitivisht dhe të angazhohemi të ketë një mundësi realizimi sa më të mirë. Mendoj se do zhvillohemi si vend duke i zgjeruar mundësitë. Edhe nga përvoja e vendeve t ë tjera, nuk e di a do duhet ndonjë vendim nga Këshilli i sigurimit kombëtar. Por mundësitë janë pozitive dhe besoj se një investim i tillë do jetë në raport me drejtë me kriteret për ta ruajtur ambientin”– u shpreh Malaj i cili shtoi se duhet të ketë më shumë transparencë.
Duke theksuar se në Sazan nuk ka probleme pronësie, Malaj tha se vënia në dispozicion e sipërfaqes së tokës do të bëhet nëpërmjet ligjit për investitorët strategjikë. Ndërsa u ndal në 2 pika të caktuara për zhvillimin e projektit.
“Ka dy momente në këtë projekt, biznesi që njeh më mirë mundësitë. Vetë investitori e ka vlerësuar Sazanin si mundësi për investim që i jep vlerë dhe duhet të krijojë impaktin që të rritet. Shqetësimi mbetet tek turizmi. Ka shumë vende që kanë prioritet turizmin por kur institucionet e shtetit janë të vogla. Një projekt afatgjatë në turizëm kërkon një vëmendje më të madhe nga ana e institucioneve”– shtoi ish-ministri.
Top Channel