Investimi 1 miliardë dollarë në Sazan nga dhëndri i Trump, Duma në Top Story: Të shihet me pozitivitet, është një logo prestigjoze në botë

18/03/2024 22:50

Drejtuesja e emisionit “Top Story” në Top Channel, Grida Duma tha se duhet parë me pozitivitet investimi në Shqipëri i dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.

Ajo theksoi se marka e cila pritet të investojë në tokën shqiptare është një ndër më dinjitozet dhe prestigjozet në botë.

“Është për t’u parë me pozitivitet dhe me shkëlqimin e një investimi për nga logo, marka që përfaqëson është e shkëlqyer në botë, apo është për t’u parë si një çështje e politikës, e mungesës së transparencës, përzgjedhjes apriori të një marke qoftë kjo shumë dinjitoze dhe shumë prestigjoze në botë, për atë që nuk është vetëm xhevahiri turistik, por edhe xhevahiri natyror dhe ndoshta zona e mbrojtur e vetmja për të cilën Rama sot tha nuk ka qenë zonë e mbrojtur, nuk ka qenë zonë e mbrojtur në ç’kuptim, dhe sa kuptim ka një zonë e mbrojtur krejtësisht natyrale dhe sa i dha investim nga një zonë e mbrojtur natyrale ekonomisë shqiptare dhe a mund të qëndrojë ashtu, çfarë do të thotë një gjë e tillë në terma afatgjatë”, tha Duma.

Kujtojmë se Jared Kushner, biznesmeni dhe investitori amerikan, njëkohësisht ish-këshilltari i vjehrrit të tij Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, deklaroi se ka në plan që të investojë në Shqipëri në sektorin e turizmit.

Kushner në një intervistë për Bloomberg deklaroi se në planet e tij të investimit përfshihen resortet turistike në Sazan dhe Zvërnec. Madje për zhvillimin e këtyre projekteve dhe një tjetri në Beograd, ai thotë se do të investojë 1 miliardë dollarë amerikanë.

Investimet do të kryhen nëpërmjet kompanisë me seli në Majemi, Affinity Partners me mbështetjen nga vendet arabe. Sipas planit të Kushner, në Zvërnec do të ndërtohen mijëra njësi akomodimi në funksion të turizmit, ndërsa në ishullin e Sazanit do të ngrihen njësi akomodimi luksoze të markës Aman.

“Sazani është një nga bregdetet më unikë që kam parë ndonjëherë në botë”, tha Kushner, që planin e investimit për në Shqipëri e ka hartuar bashkë me ish ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell.

“Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacenuara dhe unike që kam parë kudo në botë,” tha Kushner.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA