Një shqiptar dhe një italian janë arrestuar nga policia italiane pasi ishin shpallur në kërkim në Shqipëri për veprat penale të grabitjes me armë dhe të mashtrimit tatimor.
Në pranga ka rënë 38 vjeçari shqiptar Sebastian Varaku alias Varaku, banues në Shijak i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi gjykata e Durrësit e ka dënuar me 6 vjet e 8 ditë burg për grabitjen e një banke të nivelit të dytë.
Në vitin 2015 një person i maskuar dhe i armatosur hyri brenda në filialin e një banke të nivelit të dytë dhe ka marrë një sasi parash. Nga hetimet rezultoi se autor i kësaj vepre penale ka qenë shtetasi Sebastian (Ervin) Varaku. Sipas njoftimit të policisë, 38 vjeçarit i ka mbetur për të vuajtur edhe 1 vite e 7 ditë burg.
Ndërkohë, po ashtu është arrestuar nga policia italiane, shtetasi italian S. C., 52 vjeç, banues në Itali.
Bëhet me dije se 52 vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, “Dhënia e informacioneve të rreme”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Italianët S. C., A. D. dhe S. C., në bashkëpunim me shtetasit shqiptarë I. Q. dhe E. B., kishin krijuar një sistem kompanish fiktive për qarkullimin e shumave monetare.
Top Channel