Bylis rikthehet te fitorja dhe rimerr kryesimin e Kategorisë së Parë, të cilin do të mbajë për të paktën disa orë.
Mallakastriotët triumfuan me rezultatin 2-0 ndaj Besës së Kavajës, në një ndeshje të cilën e zgjidhën që në pjesën e parë me golat e Ruçit në minutën e 9’ dhe të Trumcit në të 36-ën.
Me këtë fitore Bylisi ngjitet në krye me 58 pikë, dy më shumë se Elbasani që luan ndeshjen e tij ndaj Burrelit në orën 18:00 në “Elbasan Arena”, ndërsa kavajasit mbeten në parafundit dhe me një këmbë në Kategorinë e Dytë.
U mbyll pa krisma përballja mes Flamurtarit dhe Apolonisë, dy skuadra që janë të qeta dhe të sigurta në zonën Play Off dhe pavarësisht luftës së fortë sportive, nuk arritën të prodhojnë asnjë gol gjatë gjithë 90 minutave.
Fitore me aromë mbijetese mori Kastrioti në transfertën ndaj Vorës, ku triumfoi me rezultatin 1-3. Gjithçka u zhvillua në pjesën e dytë, me Ntephe që kaloi në avantazh Vorën dhe më pas krutanët që shënuan tre herë për tri pikë, me anë të Nezirit, Musajt dhe Hoxhës.
Fitorja e dytë radhazi edhe për Luzin, që triumfoi 1-2 në Berat ndaj Tomorit, duke hedhur një tjetër hap për të qëndruar të paktën në zonën Play Out të renditjes së Kategorisë së parë./ Super Sport
Top Channel