Arbër Hoxha është risia e listës së Sylvinhos, për miqësoret e muajit mars, me Shqipërinë që do të impenjohet ndaj Kilit në “Ennio Tardini” të Parmës në Itali dhe ndaj Suedisë në Stokholm.
Sulmuesi 25-vjeçar është pjesë e Dinamos së Zagrebit që prej muajit janar dhe po bën mjaft mirë me gjigantët kroatë, teksa së fundi gjeti golin edhe mbrëmjen e të enjtes në Selanik, në ndeshjen ndaj PAOK-ut vendas e vlefshme për Conference League.
Hoxha e ka nisur karrierën te Istogu, para se të transferohej te Prishtina dhe më pas te Ballkani. Në vitin 2021 sulmuesi i majtë u transferua te Lokomotiva e Zagrebit, ku qëndroi pak dhe një vit më vonë u bashkua me Slaven Belupon.
Këtu bëri mjaft mirë, duke shënuar e asistuar, teksa performanca e tij tërhoqi vëmendjen e Dinamos së Zagrebit, që e mori në muajin janar, për ta shndërruar shpejt në një titullar të padiskutueshëm.
Hoxha ka luajtur edhe tri ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Kosovës, por kjo nuk e pengon që të zgjedhë ngjyrat kuqezi, teksa tashmë do të ketë në dispozicion një grumbullim të plotë dhe dy miqësore për të bindur Sylvinhon për një biletë për në Euro 2024 në Gjermani.
Vlen të theksohet se gjatë eliminatoreve në krahun e majtë të sulmit kuqezi ka luajtur kryesisht Taulant Seferi, por janë alternuar edhe Ernest Muçi e Myrto Uzuni, teksa tashmë alternativë për trajnerin Sylvinho mund të shndërrohet edhe Arbër Hoxha. /Supersport
Top Channel