Policia liron qindra ‘operatorë mashtrimesh’ që maskoheshin si qendër bastesh online në Azi (fotot)

14/03/2024 17:03

Policia njoftonte dje se ka shpëtuar qindra njerëz të detyruar të punonin në një qendër mashtrimesh online, ku duhet të hiqeshin si “dashnorë” në një skemë masive manipulimi romantik në Bamban, Filipine.

Zyrtarët thanë se në operacionin e tyre u liruan 838 filipinas, 202 njerëz me kombësi kineze dhe 73 të tjerë nga vende të ndryshme.

Një burrë vietnamez ishte arratisur muajin që shkoi nga qendra duke kërcyer nga mure të larta teksa më vonë njoftoi autoritetet për operacionin, thuhej në lajmin e BBC News.

Policia tha se burri kishte shenja dhune e torture, duke përfshirë dhe djegie nga rryma elektrike.

Winston Casio, zëdhënësi i kreut të krimit tha se burrit nga Vietnami i ishte ofruar një vend pune si shef kuzhine për të ardhur në Filipine.

Por me të mbërritur në vend ai ishte marrë nga trafikantët dhe detyruar të punonte në mashtrimin e romancave online me gra të huaja.

Në skemat e mashtrimeve romantike, manipuluesit ose punëtorët e tyre marrin një identitet të rremë për të fituar besimin dhe afeksionin e viktimës, para se t’i manipulojnë ato për t’i dërguar para.

Njerëzit e trafikuar në këtë rrjet detyrohen të dërgojnë foto të vetes për të “kultivuar” marrëdhënien e tyre me viktimat, të cilat shpeshherë mbeten të tronditura nga eksperienca e gënjeshtrës psikologjike e financiare.

Policia tha se kishte ekzekutuar mandatet e kontrollit për ambjentet e biznesit kinez Zun Yuan Technology kur nisi bastisjen.

Ata shtonin se kishin sekuestruar armë të ndryshme dhe municion nga impianti. Ky i fundit përbëhej nga 36 ndërtesa, secila me tre kate.

Azia jugore raportohet se është kthyer në një qendër të impianteve të tilla me skema të ndryshme mashtrimi të përdoruesve të dobët ose naivë të internetit, të cilët detyrohet të paguajnë para për “dashuri të rreme ose biznese inekzistente”.

Në të tjera skema përdoruesit binden të “investojnë” para në kriptovaluta ose fonde “me fitim të lartë” , para se personi tjeter të zhduket papritur.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA