Deputeti i PD-së së Rithemelimit, Oerd Bylykbashi foli në “Top Story” për disa prej arsyeve përse Rithemelimi u ul në tryezë me PS-në për t’u dakordësuar mbi ngritjen e 2 komisioneve hetimore.
Bylykbashi u shpreh se ligji i ri i miratuar nga Kuvendi është anti-kushtetues dhe nuk i lë mundësi opozitës për të ngritur komisione hetimore për të hetuar shkelje të qeverisë. Sipas tij, përgjegjëse është edhe Gjykata Kushtetuese që nuk e rrëzon ligjin për komisionet hetimore.
“Reforma në Drejtësi ka prodhuar këtë gjykatë kushtetuese që nuk guxon t’ja kthejë Ramës. Ne kishim ligjin e komisionit hetimor të 2002. Sado nuk ishte i mirë, ne ishim mësuar me 20 vitet e fundit me këtë ligj dhe ishim dakord ashtu. Ka ndodhur një gjë tjetër, u miratua një ligj i ri që vret komisionet hetimore.
Nuk marrim dot ekspert sepse duhen 3/5. Eksperti nuk sjell dot më prova. Provat që merren duhet të merren me votim nga komisioni dhe këtë mund ta bëjë me dyer të mbyllura dhe askush mos ta shohë pse u rrëzua një kërkesë e jona”- tha Bylykbashi.
Ndërsa më tej shtoi se e rëndësishme për Rithemelimin është që për Reformën Zgjedhore të ketë garanci në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë më të mbrojtura.
“Më e rëndësishme është se nëse Reforma Zgjedhore ndodh me garanci na bën që të kemi mundësi shtesë që zgjedhjet që vijnë të jenë të të mbrojtura”- shtoi deputeti.
Top Channel