Zbardhet vendimi/ Prokurori i posaçëm e kundërshtoi, Gjykata e Lartë urdhëron SPAK të hetojë “21 janarin”

13/03/2024 01:06

Gjykata e Lartë vendosi që çështja e “21 janarit” t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Kolegji penal i Gjykatës së Lartë pasi dëgjoi relatimet dhe mbajtur parasysh vendimin e Strasburgut 2023 vendosi ndryshimin e vendimit të gjykatës së Apelit, ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe urdhëroi Spak që të regjistrojë hetimet për çështjen e “21 Janarit”.

Seanca, e cila nisi në orën 13:00 u përfshi nga debate mes gjyqtarit Sokol Binaj dhe prokurorit të Posaçëm, Alfred Shehu, ku ky i fundit kërkoi nga trupa gjykuese të rrëzonte rekursin e bërë nga familjarët e Aleks Nikës.

DEBATI I PLOTË

Gjyqtari Ilir Panda: Prokuror kam dy pyetje. Siç duket nga aktet ju keni kryer dy veprime. Cilat janë ato?

Prokurori Alfred Shehu: Kemi kërkuar informacion nga Prokuroria e Tiranës.

Gjyqtari Ilir Panda: Nën prizmin e vendimit të Gjykatës së Strasburgut, ju e shikoni ndryshe aktin e Prokurorisë së Posaçme.

Prokurori i SPAK Alfred Shehu: Organet duhet të bëjnë hetim të plotë. Ky procedim po kryhet nga prokuroria.

Gjyqtari Sokol Binaj: Edhe për drejtuesit, edhe për zinxhirin drejtues kush do ta hetojë, kujt i takon.

Prokurori Alfred Shehu: Po heton Tirana.

Gjyqtari Sokol Binaj me zë të lartë: Flitet për zinxhirin drejtues, a keni përgjegjësi?!

Prokurori Alfred Shehu: S’kanë dalë subjekte të posaçme.

Gjyqtari Sokol Binaj: S’po flas për subjekte të zakonshme, zinxhirin?

Prokurori Alfred Shehu: Në rast se ata gjejnë shpallin mos kompetencën dhe e sjellin.

Gjyqtari Sokol Binaj: KPP parashikon dy mënyra disponimi të prokurorit. Ke detyrimin para një kallzimi t’i përgjgjesh me të gjitha rekuizitat. Nuk ka rrëzohet. Nuk pranohet jep argumentat. Kjo hap rrugën që palët të shkojnë ata ku duhet të shkojnë në lidhje me kërkesat e tyre.

Prokurori Alfred Shehu:Në kodin e procedurës penale nuk parashikohet.

Gjyqtari Sokol Binaj: Jepi përgjigje. Kallëzimi vjen dhe regjistrohet.

Prokurori Alfred Shehu: Ky disponim i Prokurorisë është vlerësuar edhe nga gjykata.

Gjyqtari Sokol Binaj: Është kjo shkresë.

Prokurori Alfred Shehu: Ky kallëzim nuk është regjistruar. Ai kallëzim është vlerësuar nga një prokurori tjetër.

Gjyqtari Sokol Binaj: S’ka asnjë pengesë që për një çështje penale të hetojnë disa prokurori, një, dy, tre, katër, pesë. Por mbi bazën e regjistrimit penal dhe jo me shkresa, dërgo shkresa sa andej-këtej. Jo pa patur asnjë mjet procedurial në dorë.

Prokurori Alfred Shehu:I qëndrojmë argumentave tona. Shkresa jonë është një shërbesë administrative, nuk ka ankim ndaj shkresave. Gjithashtu këto vendim i Shkallës së Parë dhe Apelit na japin të drejtë, për këto arsye kërkojmë mos pranimin e rekursit.

Në Gjykatën e Lartë ishin të pranishëm xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika dhe bashkeshortja e viktimës  Rajmonda Nika.

Kujtojmë se të afërmit e Aleks Nikës, më parë janë shprehur se SPAK duhet të fokusohet në hetime edhe ndaj ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-komandantit të gardës, Ndrea Prendi.

Ky qëndrim i familjes Nika, por edhe të afërmeve të tre të vrarëve të tjerë në bulevardin “Dëshmorët e Kombëit”,  Hekuran Dedës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj, nuk u pranua më parë nga SPAK me konkluzionin se çështja po hetohej sakaq në Prokurorinë e Tiranës.

Në nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut shpalli vendimin e radhës për Aleks Nikën, duke gjetur si shkelje mos hetimin dhe mos zbardhjen e vrasjes së tij. Prej vitesh, prokuroria e Tiranës e ka hapur e pezulluar disa herë hetimin për zbardhjen e dy vrasjeve, atë të Hekuran Dedës dhe të Aleks Nikës, por rezultatet kanë qenë vetëm në kuadrin e akuzave nga ana e qeverisë ndaj prokurorëve të kryeqytetit.

Megjithatë, veç dënimit të Ndrea Prendit dhe Agim Llupos për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, fakt është që drejtësia në Shqipëri për më shumë se një dekadë ka dështuar të gjejë se kush i vrau Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA